Ku janë banesat e lira në Tiranë? Pipiria nxjerr “hartën” e zonave me çmimet më të ulëta

Nisma e qeverisë për të lehtësuar strehimin e çifteve të reja dhe profesionistëve përmes kredive me zero interes deri në 60 mijë euro shihet si një hap pozitiv, por për tregun e pasurive të paluajtshme mbetet një problem thelbësor: çmimet e larta dhe oferta e kufizuar e banesave të përballueshme. Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Pasurive të Paluajtshme, Reinaldo Pipiria, e konsideron programin një nisje të mirë, por paralajmëron se vetëm mbështetja financiare për blerësit nuk është e mjaftueshme. Sipas tij, nëse rritet fuqia blerëse pa u shtuar njëkohësisht numri i banesave të disponueshme, presioni mbi çmimet mund të vijojë.
Në një intervistë, Pipiria tha se çmimi mesatar i një metri katror në Tiranë tashmë luhatet rreth 2000-2100 euro, duke e bërë të vështirë gjetjen e një apartamenti të përshtatshëm me një buxhet prej 60 mijë eurosh.
“Zonat më të lira në Tiranë janë zona e Freskut, e Kombinatit, zona e QTU-së edhe e Paskuqanit që është 1100 deri në 1300 euro m²”, u shpreh ai. Sipas tij, me 60 mijë euro mund të gjendet një banesë e vogël, kryesisht studio, garsoniere ose një apartament 1+1 me sipërfaqe rreth 55 metra katrorë. Por edhe në këtë rast, zgjedhjet janë të kufizuara dhe blerësit duhet të orientohen kryesisht drejt zonave periferike.
Pipiria theksoi se programi nuk duhet parë vetëm në këndvështrimin e kryeqytetit. Në qytete të tjera të vendit, ku çmimet e pasurive të paluajtshme janë dukshëm më të ulëta, mundësia për të siguruar një banesë brenda kufirit të financimit është më e madhe. “Besoj që nuk bëhet fjalë vetëm për Tiranën. Në rrethe çmimet janë totalisht ndryshe, madje ka rrethe të cilët i kanë shumë më të lira sesa Tirana”, tha ai.
Pipiria argumentoi se sfida kryesore e programit të ri është krijimi i një ekuilibri mes kërkesës dhe ofertës. Ai vlerësoi se deri tani politikat janë fokusuar kryesisht te mbështetja e qytetarëve që kërkojnë banesa, përmes subvencionimit të qirasë, interesave të kredisë apo kredive me normë zero. Por, sipas tij, duhet ndërhyrë edhe te ana tjetër e tregut, duke krijuar mekanizma që nxisin pronarët të nxjerrin banesat e tyre në treg.
Pipiria e lidhi këtë problem edhe me politikat fiskale. Ai tha se ekzistojnë faktorë që mund t'i dekurajojnë pronarët për t'i dhënë banesat me qira apo për t'i shitur, duke kontribuar në ngurtësimin e ofertës. “Duhet të arrijmë në një pikë që të merremi me çështjen e ofertës. Pra sot nuk është se nuk kemi kërkesë, por për shkak se oferta është e ngurtësuar, kërkesa nuk arrin dot t’i përballojë çmimet që vendos krahu i shitësit”, deklaroi Pipiria.
Ai kërkoi që gjatë hartimit dhe konsultimit të programit të ri të merren në konsideratë edhe politika që nxisin pronarët e pasurive të paluajtshme të përfshihen në programet e strehimit social, në vend që t'i mbajnë pronat të pashfrytëzuara. Sipas tij, programi i parashikuar nga qeveria përfshin rreth 7 mijë përfitues në disa kategori: rreth 2 mijë banesa përmes kredive me zero interes, 2 mijë të tjera përmes subvencionimit të interesit të kredisë deri në 3%, ndërsa 3 mijë përfitues do të mbështeten përmes subvencionimit të qirasë.
Pikërisht ky numër, sipas Pipirias, mund të krijojë një kërkesë të konsiderueshme shtesë në treg nëse nuk shoqërohet me rritje të ofertës. “Janë 7 mijë çelësa që duhet të gjejnë derën për të hapur në 2027-ën”, tha ai, duke nënvizuar nevojën që paralelisht me financimin e blerësve të krijohen kushte për të shtuar numrin e banesave të disponueshme. Në këtë kuadër, ai sugjeroi që muajt e ardhshëm të përdoren për të diskutuar dhe përmirësuar politikat që do të shoqërojnë programin, në mënyrë që zbatimi i tij të mos përkthehet në një tjetër rritje të presionit mbi çmimet e banesave.






Comments