Keni legalizuar banesën, por ju mungojnë faturat e parcelës? Ja si t’i merrni falas online

Qytetarët që kanë legalizuar banesën, por nuk disponojnë faturat për pagesën e parcelës ndërtimore, mund t’i sigurojnë ato përmes një aplikimi online në portalin e-Albania, pa kosto.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka publikuar hapat që duhet të ndjekin qytetarët dhe bizneset për të përfituar këtë shërbim, i cili mundëson marrjen elektronike të dokumentacionit.
Fillimisht, aplikuesit duhet të identifikohen në portalin e-Albania dhe të kërkojnë shërbimin “Kërkesë për pajisje me faturat e parcelës ndërtimore”. Pasi të klikojnë te butoni “Përdor”, duhet të krijojnë një aplikim të ri dhe të përcaktojnë nëse aplikanti është edhe përfaqësues.
Në vijim, kërkohet ngarkimi i një kopjeje të vendimit të legalizimit ose të vendimit të Këshillit të Ministrave për kompensimin financiar të pronarëve që preken nga ndërtimet e legalizuara. Qytetarët që përfitojnë nga skemat lehtësuese duhet të bashkëngjisin edhe dokumentin që vërteton kategorinë përkatëse.
Një tjetër hap është përzgjedhja e Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që administron zonën ku ndodhet prona. Pasi të plotësohen të dhënat dhe të ngarkohen dokumentet e kërkuara, aplikimi përfundon duke klikuar butonin “Dërgo”.
Përgjigjja i dërgohet aplikuesit në mënyrë elektronike, me vulë digjitale, në seksionin “Dokumentet e mia” në portalin e-Albania. Dokumenti mund të shkarkohet dhe të ruhet në çdo kohë. Shërbimi ofrohet pa pagesë.






Comments