Keni firmosur kontratën e shtëpisë? Ky është hapi që nuk duhet ta harroni

Regjistrimi i kontratës së shitjes në regjistrin kadastral është një nga hapat kryesorë për formalizimin e pronësisë së një pasurie. Pas nënshkrimit të kontratës, blerësi duhet të ndjekë procedurën për regjistrimin e saj pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në mënyrë që e drejta e pronësisë të pasqyrohet në regjistrin kadastral në emër të tij. Për të shmangur kamatëvonesat, aplikimi duhet të bëhet brenda 30 ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës së shitjes. Respektimi i këtij afati bën që shërbimi i regjistrimit të kryhet pa kamatë vonese.
Procedura nis në portalin e-Albania. Aplikanti duhet të identifikohet në llogarinë e tij dhe të zgjedhë shërbimin “Aplikim për regjistrimin e kontratave të shitjes - KP1”. Më pas duhet të plotësojë formularin përkatës dhe të ngarkojë dokumentacionin e kërkuar në format PDF. Pas aplikimit, gjenerohet mandati i pagesës. Pagesa mund të kryhet online, në bankë ose pranë çdo pike të Postës Shqiptare. Mandati i pagesës është pjesë e dokumentacionit që duhet të paraqitet gjatë procedurës së regjistrimit. Dokumentet që kërkohen për regjistrimin e kontratës së shitjes përfshijnë kontratën e shitjes, së bashku me certifikatën e pronësisë, kartelën e përditësuar dhe hartën kadastrale. Në dosje duhet të përfshihet gjithashtu certifikata familjare ose martesore e palës blerëse. Në rastet kur pasuria e blerë është një ndërtesë, kërkohet edhe vërtetimi i lëshuar nga bashkia përkatëse për shlyerjen e taksës së ndërtesës. Kur është e zbatueshme, duhet të paraqitet edhe mandati që vërteton pagesën e tatimit ose taksës për kalimin e pronësisë.
Për kontratat e lidhura ndërmjet ndërtuesit, zhvilluesit ose investitorit dhe blerësit, kërkohet edhe kontrata e sigurimit 10-vjeçar në favor të blerësit. Nëse procedura nuk ndiqet drejtpërdrejt nga pronari ose bashkëpronari, duhet të paraqitet akti i përfaqësimit, konkretisht prokura që autorizon personin tjetër për të kryer aplikimin. Në përfundim të aplikimit, dokumentacioni origjinal duhet të dërgohet me postë në drejtorinë vendore të ASHK-së që administron zonën kadastrale ku ndodhet pasuria. Kjo është pjesë e procedurës së dorëzimit dhe verifikimit të dokumenteve të kërkuara për regjistrimin e kontratës.






Comments