top of page

Keni borxh? Përmbarimi do t’ju lajmërojë direkt në e-Albania

Oct 5
2 min read


Qytetarët ndaj të cilëve hapet një dosje përmbarimore do të kenë një mënyrë të re për t’u informuar për çështjen që lidhet me ta. Shërbimi Përmbarimor Shtetëror ka nisur një mekanizëm të ri njoftimi elektronik përmes platformës e-Albania, duke e zhvendosur komunikimin me debitorët drejt kanaleve digjitale. Kur një qytetar rezulton debitor në një prej 22 Zyrave Vendore të Përmbarimit, ai do të marrë një njoftim elektronik në llogarinë e tij në e-Albania, për t’u informuar për ekzistencën e dosjes përmbarimore. Për Shërbimin Përmbarimor Shtetëror, kjo është pjesë e procesit të digjitalizimit dhe synon ta bëjë komunikimin më të shpejtë, të drejtpërdrejtë dhe transparent.


Shërbimi i ri vjen në një kohë kur sistemi përmbarimor përballet me një stok të konsiderueshëm çështjesh të mbartura. Sipas analizës së performancës së Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit, një nga kategoritë më të mëdha janë dosjet që lidhen me gjobat penale, me 31,690 çështje përmbarimore.

Për të ulur ngarkesën e krijuar ndër vite, është prezantuar Plani i Punës 2025–2030, i cili shtrihet në 22 zyrat vendore të përmbarimit. Objektivi i planit është ulja me 25% e stokut të dosjeve përmbarimore deri në vitin 2030.


Plani parashikon disa masa, mes tyre identifikimin dhe trajtimin me përparësi të çështjeve që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, vlerësimin e dosjeve të paekzekutueshme, trajtimin e rasteve kur nuk janë identifikuar pasuri të debitorit dhe njoftimin e palëve kreditore në rastet kur mungon interesi për vijimin e ekzekutimit. Një tjetër pjesë e planit lidhet me dosjet e vjetra që preken nga amnistia penale dhe administrative, si dhe me zbatimin e ligjit të ri për shfuqizimin e gjobave administrative për periudhën 2015–2024. Për zbatimin e planit parashikohet monitorim dhe raportim periodik çdo gjashtë muaj.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page