Kaos në Tiranë/ Studentët rikthehen në protestë para Ministrisë së Arsimit, bllokohen rrugët

Protesta studentore në Tiranë ka vijuar edhe këtë të mërkurë, me pjesëmarrjen e studentëve nga disa universitete dhe të gjimnazistëve, ndërsa tensionet janë rikthyer që në orët e paradites. Studentë nga Universiteti i Mjekësisë, Universiteti Bujqësor, Universiteti Politeknik dhe Fakulteti i Drejtësisë janë grumbulluar para Ministrisë së Arsimit. Para godinës është pozicionuar policia, ndërsa protestuesit kanë hedhur sende piroteknike në drejtim të institucionit.
Përplasje janë raportuar edhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku disa protestues kanë thyer derën kryesore dhe janë futur në ambientet e brendshme të fakultetit. Protestës i janë bashkuar edhe gjimnazistët e shkollës “Partizani”, të cilët kanë bojkotuar mësimin për t'iu bashkuar studentëve. Bojkot është raportuar edhe në Universitetin e Elbasanit, në shenjë solidariteti me protestuesit në Tiranë. Ndërkohë, sipas raportimeve, në Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër mësimi ka vijuar normalisht. Kjo është dita e dytë e protestës studentore, pas përplasjeve të së martës, kur tubimi para Ministrisë së Arsimit degjeneroi në akte dhune, përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e private. Gjatë protestës së djeshme pati të plagosur dhe dhjetëra persona të shoqëruar nga policia. Por për çfarë protestojnë studentët ? Përtej pakënaqësive me arsimin, të rinjtë po përballen me një realitet ekonomik gjithnjë e më të vështirë. Në Tiranë, qiraja mesatare arrin në 721 euro në muaj, sa rreth 97% e pagës mesatare neto, ndërsa ushqimet kushtojnë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, pavarësisht të ardhurave shumë më të ulëta. Vështirësitë nuk përfundojnë me universitetin. Sipas INSTAT, në vitin 2025, rreth 9,700 persona nën 30 vjeç me arsim të lartë rezultonin të papunë. Ndërkohë, 24.6% e të rinjve 15–29 vjeç nuk ishin as në punë, as në arsim apo trajnim profesional.
Kështu, përballë kostove të larta të jetesës, vështirësive për të gjetur punë dhe pasigurisë për të ardhmen, rritja ekonomike nuk po përkthehet domosdoshmërisht në më shumë mundësi për të rinjtë shqiptarë. Tensionet në protestë ka sjellë situatë të rënduar edhe në qarkullimin rrugor në Tiranë. Grumbullimi i protestuesve dhe lëvizjet e tyre në rrugët e kryeqytetit kanë sjellë vështirësi për automjetet, duke shkaktuar trafik dhe vonesa për drejtuesit e mjeteve.






Comments