top of page

Kadastra zbret sot në terren! Troket derë më derë për pronat pa dokumente

Sep 9
2 min read

Një mënyrë e re për të trajtuar problematikën e banesave pa dokumentacion pronësie nis të zbatohet nga sot nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Në vend që qytetarët të presin procedurat vetëm përmes aplikimeve, specialistët do të dalin në terren dhe do të trokasin derë më derë për të identifikuar dhe trajtuar rastet që plotësojnë kushtet ligjore. Nisma nis në Palasë, ku ekipet e Kadastrës do të qëndrojnë për një javë. Gjatë kësaj periudhe synohet të evidentohen dhe të shqyrtohen banesat në zonë që nuk disponojnë dokumentacion pronësie.


Sipas drejtoreshës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, procesi nuk do të kufizohet vetëm te personat që kanë paraqitur më herët kërkesë pranë institucionit. Ekipet e angazhuara do të kryejnë verifikimet në terren, duke nisur nga identifikimi i banesës dhe matjet fizike, deri te kontrolli i dokumenteve që disponon familja.


Në rastet kur kriteret ligjore plotësohen, procedura do të vijojë me marrjen e vendimit përkatës. Qytetari nuk do të ketë nevojë të ndjekë fizikisht çdo hap të procesit, pasi vendimi do t’i përcillet përmes platformës e-Albania. Një tjetër qëllim i kësaj qasjeje është shmangia e situatave ku qytetarët mbeten për një kohë të gjatë pa informacion mbi dosjen e tyre.


Kadastra parashikon që specialistët të mos kryejnë vetëm një vizitë të shkëputur, por të qëndrojnë në zonën ku po zhvillohet procesi. Kjo u krijon banorëve mundësinë të kontaktojnë drejtpërdrejt me ekspertët, të paraqesin dokumentet që kanë në dispozicion dhe të marrin informacion mbi gjendjen e çështjes së tyre. Në këtë mënyrë, qytetarët mund të mësojnë nëse rasti i tyre mund të zgjidhet me dokumentacionin ekzistues apo nëse nevojiten prova dhe dokumente të tjera.


Një pjesë e rëndësishme e procesit lidhet edhe me rastet që nuk mund të përfundojnë menjëherë. Pas përfundimit të punës në një zonë, Kadastra synon të publikojë statusin e banesave të trajtuara. Kjo do të bëjë të dallueshme rastet që kanë marrë vendim nga ato ku dosja duhet të plotësohet më tej.


Mes dokumenteve që mund të kërkohen nga qytetarët janë edhe dokumente që institucioni nuk mund t’i sigurojë vetë, si dëshmia e trashëgimisë. Në një kategori tjetër do të përfshihen edhe rastet kur ekipet nuk kanë mundur të hyjnë në banesë për të kryer verifikimet e nevojshme.


Pra, përfundimi i procesit nuk do të thotë domosdoshmërisht që çdo pronë do të pajiset automatikisht me dokumentacion. Në varësi të situatës së secilës banesë, qytetari do të informohet për vendimin ose për veprimet që duhet të ndërmarrë më tej.


Palasa është vetëm pika e parë e kësaj nisme. Pas përfundimit të punës në këtë zonë, ekipet pritet të vijojnë në fshatra të tjerë në të gjithë vendin. Një nga kërkesat kryesore është që në momentin kur ekipet shkojnë në banesë të ketë një person që mund t’i presë specialistët dhe t’u mundësojë kryerjen e verifikimeve.



Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page