Kadastra kërkon pronarët që jetojnë jashtë vendit: Ja si do të njoftohen për pronat

Pronarët që jetojnë jashtë Shqipërisë apo në qytete të tjera po kthehen në një nga sfidat e procesit të legalizimit dhe regjistrimit të pronave. Shumë prej kontakteve të deklaruara vite më parë nuk ekzistojnë më, ndërsa prania e banorëve gjatë matjeve në terren është e nevojshme. Për këtë arsye, Kadastra po mbështetet te publikimi paraprak i kalendarëve dhe te bashkëpunimi me strukturat vendore për të siguruar që pronarët të marrin njoftimin në kohë. Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, shpjegon se publikimi i të dhënave do të bëhet pasi të përfundojë puna në një zonë apo fshat. Sipas saj, qytetarët do të mund të verifikojnë statusin e çështjes së tyre dhe të shohin nëse duhet të plotësojnë dokumentacionin.
“Çdo qytetar duhet të dijë mirë se ku është çështja e tij. Transparenca është kryesore: në momentin që përfundojmë një zonë apo një fshat, ne do të bëjmë publike të gjitha të dhënat. Do të publikojmë personat që trajtuan me leje legalizimi, listën e atyre që u duhet të plotësojnë dokumentacionin, si dëshmitë e trashëgimisë, por edhe listën e objekteve ku banorët nuk u gjetën në shtëpi, në mënyrë që askush të mos mbetet jashtë procesit”, deklaroi Goxhobelli.
Kadastra kërkon që qytetarët të dinë paraprakisht se kur ekipet do të kryejnë matjet, në mënyrë që të jenë të pranishëm. “Procesi i legalizimit është një proces që ka zgjatur me vite. Shumë numra telefoni apo kontakte të deklaruara më parë nuk ekzistojnë më. Prania e banorëve në shtëpi gjatë matjeve është e domosdoshme. Për këtë arsye, publikimi i kalendarëve paraprakë i ndihmon njerëzit të informohen dhe të jenë prezentë kur ekipet tona zbresin në terren”, pohoi Goxhobelli. Fushata ka nisur fillimisht në zonat bregdetare, ku fluksi i kërkesave për pronat është i lartë. Në Bashkinë Himarë janë matur dhe verifikuar 235 objekte.
Krahas objekteve të banimit, në proces është përfshirë edhe toka bujqësore, për të cilën Kadastra po punon sipas blloqeve kadastrale dhe jo përmes kërkesave individuale. “Për tokën bujqësore ne po punojmë sipas blloqeve kadastrale dhe jo me kërkesa individuale. Kemi bërë një progres të madh, siç është rasti i Shijakut, ku kemi gati 630 parcela bujqësore të afishuara publikisht për të kaluar në Këshill Bashkiak. Mesazhi im për qytetarët është thjesht: ndiqni kalendarët zyrtarë, vendosni në dispozicion dokumentet e nevojshme dhe kontrolloni njoftimet për lejet e pronësisë”, u shpreh ndër të tjera drejtoresha. Fushata do të vijojë në të gjitha drejtoritë rajonale të Kadastrës, me synimin për të trajtuar kërkesat e mbartura ndër vite dhe për të çuar përpara proceset e legalizimit dhe regjistrimit të pronave.






Comments