top of page

IPARD III: Premtime pa fund, fondet ende të bllokuara

Aug 26
2 min read

Historia e IPARD në Shqipëri nuk është më thjesht histori e një fondi europian të bllokuar. Është kthyer në një test për mënyrën se si administrata shqiptare përballon një problem të konstatuar nga institucionet europiane, sa shpejt zbaton masat korrigjuese dhe, mbi të gjitha, sa të besueshme janë afatet që u komunikohen fermerëve. Në korrik 2023, Komisioni Europian ndërpreu financimet e lidhura me programin IPARD II, pas hetimit të OLAF për parregullsi në menaxhimin e fondeve. OLAF rekomandoi që rreth 33 milionë euro të konsideroheshin të papranueshme për financim dhe që 112 milionë euro të IPARD III të mos viheshin në dispozicion të Shqipërisë derisa të merreshin masat e nevojshme për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. Në të njëjtën kohë, gjetjet e OLAF iu pëcollën edhe autoriteteve shqiptare të drejtësisë, për shkak të dyshimeve për veprimtari kriminale. Problemi nuk është vetëm se fondet janë ende të bllokuara. Problemi është se gjatë këtyre tre viteve afati i zhbllokimit është shtyrë disa herë. Në mars 2024, zëvendësministri i Bujqësisë Dhimitër Kote deklaroi se fondet do të zhbllokoheshin në vitin 2025 dhe se IPARD III do të ishte funksional atë vit. “Për vitin 2025, skema do të jetë funksionale”, deklaroi Kote. 2025 erdhi, por IPARD III nuk u hap. Më pas, në vitin 2025, pritshmëria u zhvendos drejt vitit 2026. Anila Denaj deklaroi se Shqipëria priste që gjatë vitit 2026 të niste vlerësimi nga Brukseli për nëntë masat e programit IPARD III. “Ne presim në 2026 që masat që kemi nisur në Bruksel të nisin vlerësimin për çeljen e tij”, u shpreh ajo. Ndërsa në shkurt 2026, ministri aktual i Bujqësisë, Andis Salla, vendosi një tjetër afat, këtë herë shumë më konkret: “IPARD III do të hapet brenda 6 muajve.” Sot jemi në fund të gushtit. Gjashtëmujori i deklaruar nga ministri ka përfunduar, por fondet ende nuk janë vënë në dispozicion të fermerëve. Çfarë thotë qeveria sot? Kjo nuk do të thotë se procesi nuk ka lëvizur fare. Në mars 2026, pas takimeve në Bruksel, Ministria e Bujqësisë deklaroi se ishte në proces të akreditimit të procedurave të reja dhe priste përmbylljen e marrëveshjes së financimit. Raportimet e asaj kohe flisnin për një proces që mund të çonte drejt hapjes së fondeve pas përmbushjes së kërkesave të Komisionit Europian. Edhe në qershor 2026, qeveria shqiptare miratoi një vendim që parashikon struktura dhe mekanizma të posaçëm për menaxhimin e programeve IPA III dhe IPARD III, duke lidhur edhe shpërblimet për administratën me përthithjen efektive dhe në kohë të këtyre fondeve. Pra, procesi administrativ vazhdon. Por ky është pikërisht thelbi i problemit: pas tre vitesh, Shqipëria është ende në proces. IPARD III nuk është një fond simbolik. Programi parashikon rreth 112 milionë euro kontribut të BE-së për Shqipërinë, ndërsa programi në tërësi arrin në rreth 146 milionë euro. Këto janë para të destinuara për investime në bujqësi dhe zhvillimin rural. Ndërkohë, fermerët që prisnin një program të ri financimi kanë parë një kronologji premtimesh që nuk është përkthyer ende në aplikime dhe pagesa.



Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page