Ibrahimaj: Protesta është e drejtë, por dhuna dëmton ekonominë dhe besimin e investitorëve

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka reaguar lidhur me protestat dhe aktet e dhunës, duke theksuar se e drejta për të protestuar duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe respekt për pronën publike e private. Në një reagim në rrjetet sociale, Ibrahimaj nënvizon se zëri i të rinjve meriton të dëgjohet me vëmendje dhe respekt, por thekson se dhuna dhe shkatërrimi nuk janë zgjidhje. Sipas ministres, dëmtimi i pronës publike dhe private, i bizneseve dhe i hapësirave të përbashkëta sjell pasoja që shkojnë përtej momentit, duke ndikuar në ekonomi, imazhin e Shqipërisë dhe besimin e investitorëve. “Protesta është një e drejtë. Të mbrosh vendin tënd është një përgjegjësi”, shprehet Ibrahimaj, duke bërë thirrje për të mos dëmtuar të ardhmen që kërkohet të ndërtohet. Në përfundim, ministrja thekson se përparimi i vendit kërkon dialog, mirëkuptim dhe përgjegjësi nga të gjithë, duke e cilësuar Shqipërinë si shtëpinë e përbashkët të qytetarëve. Më tej ministra reagoi dhe për zjarrin në ministri.
T’i vësh flakën një institucioni nuk është protestë paqësore. Është një akt që rrezikon jetë njerëzish. Këto janë zyra që i shërbejnë shtetit dhe qytetarëve, pavarësisht se kush është në qeveri. Janë vende pune ku çdo ditë punojnë njerëz, prindër, të rinj, që kanë familje që i presin në shtëpi. Asnjë punonjës nuk duhet të rrezikojë jetën në vendin e tij të punës. Asnjë pakënaqësi nuk mund të justifikojë djegien e institucioneve që u përkasin të gjithëve dhe që do t’u shërbejnë edhe brezave të ardhshëm - përfundon reagimin e saj ministrja Ibrahimaj






Comments