top of page

Hekurudhat dhe autostradat në fazën finale, Karakaçi jep datat për projektet kryesore

Sep 23
1 min read

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë të ditur nga Kina ecurinë e disa prej projekteve kryesore të transportit në Shqipëri, duke deklaruar se disa prej tyre kanë hyrë në fazën përmbyllëse të garave.

Karakaçi ishte i ftuar nga ministri kinez i Transportit në Forumin Global të Transportit të Qëndrueshëm, ku foli për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e transportit dhe pozicionin e Shqipërisë në dy korridore evropiane, Korridorin VIII dhe Korridorin Adriatiko-Jonian. Për Korridorin VIII, ministri tha se gara për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë është në përmbyllje dhe se brenda nëntorit pritet të shpallet fituesi.


Ndërkohë, sipas tij, vijon puna për zgjerimin e korridorit Elbasan-Qafë Thanë, ndërsa segmentet e para të bypass-it të Elbasanit janë kontraktuar dhe kanë nisur punimet. Sa i përket Korridorit Adriatiko-Jonian, Karakaçi deklaroi se edhe gara për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit ndodhet në fazën përfundimtare. Investimi, me vlerë rreth 360 milionë euro, sipas ministrit pritet të nisë në fillim të vitit 2027.


Një tjetër projekt i përmendur ishte autostrada Adriatiko-Joniane. Ministri tha se po përgatitet studimi inxhinierik për segmentin Murriqan-Balldren, të cilin e cilësoi si pjesën më sfiduese të projektit. Studimi po financohet me fonde grant nga Bashkimi Evropian dhe pritet t'i dorëzohet ministrisë në janar 2027. Ndërkohë, vijon puna për finalizimin e kontratës dhe projektit teknik përfundimtar për autostradën Milot-Balldren. Lidhur me këtë projekt, Karakaçi tha se ka pasur “shumë paqartësi” dhe deklaroi se, për të garantuar transparencë, dokumentet e projektit do të bëhen të aksesueshme në platformën “Flamingo Mirror”, në mënyrë që të interesuarit të mund t'i verifikojnë.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page