top of page

Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas në fazën e fundit, qeveria kërkon operator për transportin e udhëtarëve

Oct 6
3 min read

Hekurudha shqiptare po hyn në një fazë të re, ku krahas investimeve në infrastrukturë, qeveria synon të përcaktojë edhe mënyrën se si do të ofrohet shërbimi për pasagjerët. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur nisjen e konsultimit për Kontratën e Shërbimit Publik për transportin hekurudhor të udhëtarëve në korridorin Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit. Sipas ministrit, kontrata do të përcaktojë kuadrin për operimin e shërbimit dhe do të hapë rrugën për përfshirjen e operatorëve privatë dhe ndërkombëtarë. “Kontrata e Shërbimit Publik për korridorin e parë tashmë Tiranë-Aeroport-Durrës synon të krijojë kuadrin kontraktual për ofrimin e shërbimit të transportit hekurudhor të udhëtarëve, duke përcaktuar qartë detyrimin e shërbimit publik, standardet e shërbimit, përgjegjësinë e operatorit dhe mekanizmin e kompensimit”, deklaroi Karakaçi.


Ministri bëri të ditur se shteti do të përcaktojë nevojën dhe standardet e shërbimit, ndërsa operatori do të përzgjidhet përmes një procedure konkurruese. “Ky është një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën se si e konceptojmë transportin hekurudhor. Shteti përcakton tashmë nevojën dhe standardin e shërbimit publik, ndërsa përmes një procedure konkurruese kërkohet nga tregu të gjendet zgjidhja më e përshtatshme për operimin e këtij shërbimi”, tha ai. Kontrata pritet të përcaktojë një sërë elementësh të operimit, duke nisur nga numri i tren-kilometrave dhe oraret, deri te mjetet lëvizëse, financimi, mirëmbajtja dhe përdorimi i depos në Shkozet. Në dokument do të përcaktohen gjithashtu modeli i pronësisë ose leasing-ut të mjeteve, periudha e mobilizimit, kohëzgjatja e kontratës, mekanizmi i kompensimit dhe indeksimit, mënyra e trajtimit të të ardhurave nga biletat dhe treguesit e performancës. Sipas Karakaçit, qëllimi nuk është thjesht rikthimi i shërbimit hekurudhor, por krijimi i një shërbimi të matshëm dhe të orientuar drejt pasagjerëve.


Projekti Tiranë-Durrës-Aeroporti i Rinasit është pjesë e programit të investimeve për rehabilitimin dhe modernizimin e rrjetit hekurudhor shqiptar. Projekti përfshin rehabilitimin e linjës ekzistuese, lidhjen e re me aeroportin, ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin. Sipas ministrit, punimet për rehabilitimin e linjës dhe stacionet janë drejt përfundimit, ndërsa elektrifikimi parashikohet të përfundojë brenda vitit 2027. Qëllimi është që infrastruktura e re të shoqërohet me një shërbim të rregullt dhe të besueshëm për udhëtarët, duke e lidhur Tiranën me Durrësin dhe Aeroportin e Rinasit.


Investimet nuk kufizohen vetëm te linja hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas. Në veri, linja Vorë-Hani i Hotit, me gjatësi rreth 120 kilometra, po rehabilitohet si pjesë e lidhjes së Shqipërisë me Malin e Zi dhe rrjetin europian. Sipas ministrit, vlerësimi i ofertave është në fazën përfundimtare dhe fituesi pritet të shpallet brenda këtij viti. Një tjetër projekt i rëndësishëm është Durrës-Rrogozhinë, pjesë e rrjetit kryesor TEN-T në Ballkanin Perëndimor dhe e Korridorit VIII.Linja do të rehabilitohet për të mundësuar shpejtësi projektimi deri në 120 km/orë, ndërsa parashikohen edhe stacione të modernizuara dhe sisteme të reja sinjalizimi e telekomunikacioni. Edhe për këtë projekt, sipas Karakaçit, procesi konkurrues është përmbyllur dhe shpallja e fituesit pritet brenda vitit.


Në vijim janë në përgatitje edhe projektet Rrogozhinë-Pogradec dhe rehabilitimi i linjës Rrogozhinë-Fier-Vlorë, së bashku me lidhjen hekurudhore me Aeroportin e Vlorës. Në strategjinë e qeverisë përfshihet edhe projekti hekurudhor Durrës-Prishtinë. Ministri tha se, në bashkëpunim me Agjencinë Franceze të Zhvillimit, po punohet për përgatitjen e një projekti të detajuar teknik. Në të njëjtën kohë, qeveria po planifikon edhe forcimin e transportit hekurudhor të mallrave. Lidhja Sukth-Porto Romano synon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë hekurudhore me portin e ri dhe të forcojë transportin ndërmodal mes hekurudhës dhe transportit detar.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page