HAPAT/ Si mund të aplikojnë bizneset e dëmtuara nga protestat

Bizneset e vogla që kanë pësuar dëme materiale gjatë protestave mund t’i deklarojnë ato përmes një hapësire të dedikuar në portalin qeveritar e-Albania. Shërbimi i quajtur “Dëmi im” synon të mundësojë evidentimin dhe verifikimin e dëmeve, me qëllim përcaktimin e masave për mbështetjen e bizneseve të prekura.
Për të aplikuar, subjektet duhet të identifikohen në e-Albania, të kërkojnë shërbimin “Dëmi im” dhe të plotësojnë të dhënat personale, NIPT-in, informacionin e kontaktit, si dhe të dhënat për ambientin e biznesit dhe sigurimin, nëse disponohet. Në formular duhet të deklarohet edhe vlera e përllogaritur e dëmeve materiale. Aplikuesit duhet të bashkëngjitin dokumentacionin mbështetës, si fotografi, video, fatura apo dokumente të tjera që ndihmojnë në evidentimin e humbjeve.
Pas regjistrimit, verifikimi do të vijojë në terren. Sipas njoftimit, 10 grupe pune të Drejtorisë së Tatimeve do të kontrollojnë dëmet dhe dokumentacionin përkatës, për të krijuar një regjistër të bizneseve të prekura. Vetëm pas përfundimit të verifikimeve do të përcaktohen masat konkrete për mbështetjen dhe shlyerjen e dëmeve. Në njoftim nuk bëhen të ditura afatet e aplikimit apo mënyra konkrete e kompensimit.






Comments