Gonxhja thirrje protestuesve: Asnjë kauzë nuk justifikon shkatërrimin e pasurisë kombëtare

Ministri Blendi Gonxhja ka reaguar për protestën në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe dëmtimin e institucioneve. Përmes një mesazhi, ai thekson se e drejta për të protestuar është e pacenueshme, por nuk mund të përdoret si justifikim për zjarrvënie apo shkatërrime.
“Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë!”, shkruan Gonxhja, duke shtuar se institucionet publike nuk u përkasin partive politike, por qytetarëve.
Ministri u ka bërë thirrje studentëve të distancohen nga aktet e dhunës dhe të angazhohen për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës. Sipas Gonxhes, vetëgjyqësia, urrejtja dhe kaosi nuk përbëjnë zgjidhje, ndërsa ai e cilëson destabilizimin si një zhvillim që, sipas tij, u shërben interesave antishqiptare.
Në reagimin e tij, ministri ka vënë theks të veçantë edhe te mbrojtja e monumenteve, muzeve dhe objekteve të kulturës, duke paralajmëruar se çdo veprim që rrezikon këto pasuri cenon historinë dhe identitetin kombëtar.
“Asnjë kauzë nuk mund të përligjë cenimin e pasurisë sonë kombëtare”, përfundon Gonxhja.






Comments