top of page

Gjyqi për pronat, ja procedura që duhet të dini

Sep 2
2 min read

Një proces gjyqësor që lidhet me një pronë nuk duhet të mbetet vetëm në dokumentet e gjykatës. Për të bërë të ditur zyrtarisht se mbi një pasuri ekziston një pretendim apo konflikt në shqyrtim, kërkesë-padía mund të regjistrohet edhe në të dhënat kadastrale të pronës. Ky veprim bën që informacioni mbi procesin gjyqësor të pasqyrohet në kartelën e pasurisë dhe të jetë pjesë e informacionit zyrtar që lidhet me të.


Ku pasqyrohet kërkesë-padía?

Pas përfundimit të procedurës, informacioni për kërkesë-padinë regjistrohet në seksionin “E – Informacione të tjera për pronën” të kartelës së pasurisë. Kjo u jep palëve të interesuara mundësinë që të kenë një pasqyrë më të plotë mbi gjendjen juridike të pasurisë.


Si bëhet aplikimi?


Procedura mund të nisë online përmes portalit e-Albania.

Hapat kryesorë janë:

1. Hyni në e-Albania me të dhënat tuaja.

2. Kërkoni shërbimin “Aplikim për regjistrimin e kërkesë-padisë – B4” dhe zgjidhni opsionin për përdorimin e shërbimit.

3. Hapni një aplikim të ri dhe përcaktoni nëse po aplikoni vetë apo në cilësinë e përfaqësuesit të një personi tjetër.

4. Plotësoni të dhënat e pasurisë për të cilën lidhet procesi gjyqësor. Në të njëjtën procedurë mund të kërkohet edhe shërbimi për pajisjen me kopje të kartelës së pasurisë.

5. Ngarkoni dokumentet e kërkuara në format elektronik PDF.

6. Dërgoni aplikimin dhe kryeni pagesën. Pagesa mund të realizohet online, në Postën Shqiptare ose në banka të nivelit të dytë.


Çfarë dokumentesh duhen?


Për aplikimin kërkohen dokumentet që provojnë ekzistencën e procesit gjyqësor dhe lidhjen e tij me pasurinë.

Dokumentet kryesore janë:

• Kërkesë-padía;

• Vërtetimi i gjykatës për regjistrimin e kërkesë-padisë;

• Të dhënat identifikuese të pasurisë, nëse këto nuk janë të përfshira në kërkesë-padi.



Edhe pasi dokumentacioni të jetë ngarkuar elektronikisht, procedura kërkon që dokumentet origjinale të dërgohen me postë pranë drejtorisë vendore të ASHK-së që mbulon zonën kadastrale ku ndodhet pasuria.

Pra, aplikimi online është vetëm një pjesë e procedurës dhe dokumentacioni fizik duhet të përcillet pranë strukturës përkatëse të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Regjistrimi i kërkesë-padisë bën që informacioni për procesin gjyqësor të mos mbetet vetëm mes palëve dhe

gjykatës, por të pasqyrohet edhe në dokumentacionin zyrtar të pasurisë. Për këtë arsye, kur ekziston një konflikt gjyqësor që lidhet me një pasuri të paluajtshme, pasqyrimi i tij në regjistrin kadastral është një hap i rëndësishëm për transparencën mbi statusin e pronës.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page