top of page

Gjigantët e hotelerisë zbarkojnë në Tiranë/ Mbi 100 projekte shqiptare kërkojnë investitorë

Oct 1
2 min read

Tirana do të kthehet më 2 tetor në një pikë takimi mes investitorëve shqiptarë dhe disa prej emrave më të mëdhenj të industrisë botërore të hotelerisë. Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit zhvillohet edicioni i parë i Future Hospitality Forum 2026, organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Në fokus të forumit do të jenë më shumë se 100 projekte shqiptare të sektorit të mikpritjes, të cilat do t’u prezantohen markave ndërkombëtare që kanë konfirmuar pjesëmarrjen.


Organizatorët synojnë që takimet të mos mbeten vetëm në nivel prezantimesh, por të krijojnë kontakte konkrete mes zhvilluesve vendas, investitorëve dhe kompanive globale të hotelerisë. Forumi vjen në një moment kur industria turistike shqiptare po përballet me rritje të kërkesës dhe me nevojën për zgjerimin e kapaciteteve të akomodimit. Përmes takimeve B2B të organizuara paraprakisht, zhvilluesit shqiptarë do të kenë mundësi të prezantojnë projektet e tyre, ndërsa kompanitë ndërkombëtare do të shpjegojnë kriteret që përdorin për përzgjedhjen e destinacioneve dhe projekteve të reja.


Programi parashikon dy panele kryesore. I pari, “Developing Albania's Hospitality Sector: From Investment to Growth”, do të fokusohet te politikat dhe hapat që lidhen me investimet, zhvillimin e territorit dhe financimin e sektorit të mikpritjes. Paneli i dytë, “Albania's Next Hospitality Investment Wave”, do të sjellë në diskutim përfaqësues të grupeve ndërkombëtare të hotelerisë, mes tyre Accor, Wyndham dhe Minor Hotels. Në këtë panel pritet të diskutohet se çfarë kërkojnë markat globale përpara se të hyjnë në një destinacion të ri dhe cilat janë mundësitë që shohin në tregun shqiptar. Një tjetër element i forumit është ndarja e potencialit të turizmit shqiptar në tri zona kryesore: urbane, bregdetare dhe malore. Këto kategori do të shërbejnë si pikë referimi për prezantimin e projekteve dhe mundësive të investimit, nga hotelet në qendrat urbane te resortet në bregdet dhe strukturat boutique në zonat malore.


Në listën e kompanive që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë disa prej grupeve të njohura ndërkombëtare të hotelerisë, përfshirë Accor Luxury, Minor Hotels, Wyndham Hotels & Resorts, Falkensteiner Hotels and Residences, Sunset Hospitality Group, Iberostar, Banyan Group, CDS Hotels, Club Esse, METT, Elite World Hotels & Resorts, Hyatt Inclusive Collection, HO Collection dhe Majestic Hospitality. Në forum do të marrin pjesë gjithashtu përfaqësues të institucioneve shqiptare të investimeve, turizmit, zhvillimit të territorit dhe financave, si dhe ekspertë të sektorit. Punimet e Future Hospitality Forum 2026 do të hapen me fjalimin e Kryeministrit Edi Rama.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page