top of page

Fundi i pritjes për legalizimet? Qeveria propozon afate dhe procedura të reja

Sep 10
2 min read

Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje pritet të hyjë në një fazë të re. Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj që synon përshpejtimin dhe përmbylljen e proceseve kalimtare të pronësisë, duke vendosur rregulla të reja për poseduesit, ndërtimet pa leje, konfliktet mes investitorëve dhe pronarëve, si edhe për rastet kur subjektet nuk identifikohen. Ndryshimet i japin Agjencisë Shtetërore të Kadastrës kompetenca të reja për të mos lejuar që pengesat në terren apo konfliktet mes palëve të bllokojnë pafundësisht procedurat. Një afat prej 90 ditësh vendoset për poseduesit që nuk identifikohen, ndërsa në raste të caktuara parashikohet mundësia që procedura të përfundojë brenda 30 ditësh.


Një nga ndryshimet më konkrete lidhet me rastet kur gjatë verifikimit në terren nuk gjendet poseduesi i një ndërtimi pa leje. Në këtë situatë, ASHK do të publikojë njoftimin në Njësinë Administrative ku ndodhet pasuria, në drejtorinë vendore përkatëse dhe në faqen zyrtare të institucionit. Nga momenti i këtij njoftimi nis një afat 90-ditor. Nëse brenda këtyre tre muajve nuk paraqitet asnjë person apo subjekt që provon se e posedon ndërtimin, ASHK do të mund të vendosë moslegalizimin e tij.


Pas kësaj, autoritetet përgjegjëse për kontrollin dhe inspektimin e territorit do të njoftohen për vijimin e procedurave sipas kompetencave të tyre. Projektligji prek edhe një tjetër problematikë: rastet kur poseduesi pengon punonjësit e ASHK-së të kryejnë verifikimet në terren. Nëse personi që disponon ndërtimin pa leje nuk lejon evidentimin apo përditësimin e gjendjes ndërtimore, Agjencia do të mund të vendosë përjashtimin e objektit nga procesi i legalizimit. Argumenti i qeverisë lidhet me karakterin e përkohshëm të procesit. Meqë synohet përfundimi i proceseve kalimtare të pronësisë deri në vitin 2028, pengimi i verifikimeve shihet si një faktor që nuk duhet të lejojë zvarritjen pa afat të procedurave.


Një tjetër element i ri është krijimi i një procedure të përshpejtuar. Në raste të përcaktuara nga ligji, procedura e legalizimit mund të kryhet brenda 30 ditësh. Kërkesa për këtë trajtim nuk do të vijë vetëm nga poseduesi. Projektligji parashikon se ajo mund të paraqitet edhe nga autoriteti i zhvillimit të territorit, kur në parcelën ku ndodhet ndërtimi pa leje ekziston një leje zhvillimi ose ndërtimi. Për përdorimin e kësaj procedure do të aplikohet edhe tarifa shtesë e shërbimit të parashikuar nga legjislacioni. Kjo skemë synon veçanërisht rastet ku një procedurë e legalizimit lidhet me zhvillime të tjera të miratuara në të njëjtën parcelë dhe ku vonesat administrative mund të ndikojnë në realizimin e projektit.


Një ndër problemet më të ndërlikuara që synon të adresojë projektligji lidhet me ndërtesat e ngritura nga persona juridikë. Në këto raste mund të ekzistojnë mosmarrëveshje mes investitorit ose ndërtuesit, nga njëra anë, dhe poseduesve të njësive apo pronarëve të truallit, nga ana tjetër. Sipas rregullimit të propozuar, konflikti civil nuk do të duhet domosdoshmërisht të paralizojë të gjithë procedurën administrative. Legalizimi mund të vijojë edhe pa përcaktuar menjëherë subjektin përfitues. Kush do të përfitojë përfundimisht nga legalizimi do të përcaktohet pasi gjykata të ketë zgjidhur konfliktin me një vendim të formës së prerë. Kjo qasje synon të ndajë dy procese që shpesh kanë mbetur të lidhura: procedurën administrative të legalizimit dhe konfliktin gjyqësor mes palëve. Në relacionin shoqërues të projektligjit, ndryshimet lidhen me objektivin për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë deri në vitin 2028.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page