Fundi i cash-it? Bizneset duhet të pajisen me POS deri në 31 dhjetor 2026

Bizneset që kryejnë shitje me para në dorë do të duhet të pajisen me terminale POS/POI në çdo pikë shitjeje deri më 31 dhjetor 2026. Administrata Tatimore u ka rikujtuar tatimpaguesve detyrimin, i cili parashikohet në nenin 59/3 të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Detyrimi i ri synon të zgjerojë përdorimin e pagesave elektronike dhe të reduktojë transaksionet me para cash, duke rritur transparencën dhe formalizimin e aktivitetit ekonomik. Sipas Administratës Tatimore, përdorimi i POS/POI pritet të lehtësojë pagesat për konsumatorët dhe t’i bëjë transaksionet më të shpejta dhe më të dokumentueshme. Megjithatë, jo të gjithë tatimpaguesit përfshihen në këtë detyrim. Përjashtohen bizneset që ushtrojnë aktivitet në zona pa mbulim interneti, subjektet që nuk kanë detyrim të lëshojnë faturë sipas legjislacionit përkatës, si edhe disa kategori të vetëpunësuarish. Në këtë të fundit përfshihen tatimpaguesit që nuk janë subjekt i TVSH-së, kanë përgjegjësi tatimore për tatimin mbi të ardhurat personale nga biznesi, kanë vetëm një vendndodhje të aktivitetit dhe kanë statusin e punësimit “i vetëpunësuar i vetëm”. Administrata Tatimore u kërkon bizneseve që nuk përjashtohen nga ky detyrim të marrin masat për instalimin e terminaleve POS/POI brenda afatit të përcaktuar.






Comments