Fondi i komunitetit/ Sa para jep Bashkia e Tiranës për ndërhyrjet në pallate, ja si mund të aplikohet

Bashkia e Tiranës vë në dispozicion një fond mujor prej 200 milionë lekësh për rikonstruksionin e pallateve, ndërsa financimi maksimal për një projekt të vetëm është 50 milionë lekë. Fondi mund të përdoret për ndërhyrje të ndryshme në pallate, si vendosja e ashensorëve, termoizolimi me sistem kapot, lyerja e shkallëve dhe instalimi i pompave. Sipas përfaqësuesve të bashkisë, çdo muaj përzgjidhen rreth 4-5 projekte fituese. Në rast se ka aplikime të tjera, mund të përdoret edhe fondi rezervë.
Ndërkohë, administratori i pallateve, Isidor Koti thotë se kërkesat e banorëve përqendrohen kryesisht te vendosja e ashensorëve, veçanërisht në pallatet ekzistuese, por ka interes edhe për modernizimin e ashensorëve të instaluar më parë. Pas ashensorëve, një tjetër kërkesë e lartë është termoizolimi i ndërtesave, si atyre ekzistuese, ashtu edhe pallateve të reja.
"Një nga vështirësitë kryesore mbetet organizimi i banorëve dhe arritja e dakordësisë për ndërhyrjet. Në pallatet ekzistuese, kundërshtime shfaqen veçanërisht nga banorët e kateve të para, të cilët pretendojnë se instalimi i ashensorit mund t'u zërë një pjesë të hapësirës së përbashkët", tha Isidor Koti në Vizion Plus.
Banorët duhet të diskutojnë se cila ndërhyrje është më e nevojshme për pallatin e tyre dhe të bien dakord për projektin. Bashkia e lidh aplikimin me organizimin e banorëve dhe administrimin e hapësirave të përbashkëta. Më pas, banorët duhet të përgatisin kërkesën për ndërhyrjen. Për shembull, vendosje ashensori, sistem kapot, izolim tarrace ose ndërhyrje të tjera të lejuara nga programi. Në fund, duhet të kontaktojnë Bashkinë e Tiranës për aplikimin. Banorët duhet të kërkojnë formularin aktual, listën e dokumenteve, mënyrën e bashkëfinancimit dhe afatin e dorëzimit.
Për pensionistët dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, bashkia mbulon deri në 100% të kostos, ndërsa për familjet e tjera 50% të kostos.
Nëse një ndërhyrje kushton 4 milionë lekë, me financim 50% nga bashkia, pjesa që mbetet për t'u mbuluar nga banorët është 2 milionë lekë. Për kategoritë që përfitojnë mbulim të plotë, duhet konfirmuar nga bashkia plotësimi i kushteve përkatëse.






Comments