FMN vlerëson investimet publike, Malaj: “Paratë publike po investohen më mirë”

Shqipëria ka shënuar përmirësime në planifikimin dhe menaxhimin e investimeve publike, sipas gjetjeve paraprake të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në kuadër të vlerësimit PIMA. Raporti i plotë pritet të publikohet së shpejti. Ministri i Financave, Petrit Malaj, priti këtë të mërkurë misionin e FMN-së, të kryesuar nga Ian Hawkesworth, ku u diskutuan rezultatet paraprake të vlerësimit për eficiencën e investimeve publike. Sipas Ministrisë së Financave, Shqipëria ka bërë progres vitet e fundit në mënyrën e planifikimit dhe administrimit të investimeve publike. Investimet publike kanë qenë rreth 6.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë viteve të fundit dhe, sipas planifikimeve afatmesme, pritet të vijojnë në nivele të larta.
Fokusi i investimeve të ardhshme pritet të jetë te transporti, energjia, digjitalizimi dhe rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike. Ministri Malaj deklaroi se rezultatet paraprake tregojnë se Shqipëria po performon në linjë me vendet e Bashkimit Evropian dhe ekonomitë e zhvilluara në planifikimin dhe menaxhimin e investimeve publike. “Paratë publike sot po investohen më mirë”, u shpreh Malaj, duke e lidhur këtë progres me disiplinën buxhetore, alokimin e fondeve, transparencën dhe konkurrueshmërinë në prokurimin publik.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministri tha se vlerësimi PIMA tregon se Shqipëria “shënon progres të dukshëm”, ndërsa e cilësoi atë si një tregues të rëndësishëm për mënyrën se si shteti planifikon dhe menaxhon investimet publike. Sipas Ministrisë së Financave, vlerësimi i FMN-së përbën një tregues pozitiv për reformat në menaxhimin e financave publike, ndërsa synimi mbetet forcimi i mëtejshëm i mekanizmave për përdorimin sa më efikas të fondeve publike.






Comments