Fatura e protestave/ 80 biznese të dëmtuara, miliona lekë humbje

Rreth 80 subjekte biznesi janë dëmtuar nga protestat e zhvilluara ditët e fundit. Sipas të dhënave paraprake të Administratës Tatimore, vlera e dëmeve për subjektet e prekura arrin deri tani në rreth 12 milionë lekë. Evidentimi i dëmeve vijon, ndaj shifrat mund të ndryshojnë pas përfundimit të verifikimeve.
Administrata Tatimore po kryen kontrolle në terren përmes 10 ekipeve të posaçme, ndërsa bizneset mund të raportojnë dëmet edhe nëpërmjet portalit “Dëmi im”.
Përmes shërbimit elektronik në platformën e-Albania, subjektet tregtare mund të deklarojnë dëmet e shkaktuara në ambientet e tyre, duke plotësuar formularin përkatës dhe duke dorëzuar dokumentacionin që i vërteton ato.
Vlerësimi përfundimtar i pasojave ekonomike për bizneset do të bëhet pas përfundimit të protestave dhe procesit të verifikimit nga Administrata Tatimore.






Comments