Eksportet frenojnë ritmet në gusht, fasoni thellon krizën – rritja e korrikut nuk përsëritet

Rritja dyshifrore e eksporteve në korrik rezulton të ketë qenë më shumë një episod i veçantë sesa shenjë e një përmirësimi të qëndrueshëm të eksporteve shqiptare. Pas zgjerimit me 10.6% në korrik, në gusht eksportet u rritën me vetëm 1.6%, duke shënuar performancën më të dobët që nga fillimi i vitit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se eksportet e mallrave arritën në 20.5 miliardë lekë në gusht, me rritje 1.6% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa në raport me korrikun ranë me 39%. Ngadalësimi nxjerr në pah edhe një dobësi të strukturës së eksporteve shqiptare: një pjesë e rritjes së muajit korrik u mbështet nga faktorë të përkohshëm, si çmimet e favorshme në tregjet ndërkombëtare dhe grumbullimi i dërgesave të disa muajve nga eksportuesit e lëndëve të para. Në gusht, këta faktorë nuk dhanë të njëjtin efekt. Ndërkohë, industria e tekstileve dhe këpucëve vijoi rënien, ndërsa ritmet e rritjes së mineraleve, lëndëve djegëse, energjisë, materialeve të ndërtimit dhe metaleve u ngadalësuan ndjeshëm. Për pasojë, grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji” kaloi në vendin e parë si grupi më i madh eksportues, duke zhvendosur “Tekstile dhe këpucë”, që për vite ka qenë baza kryesore e eksporteve shqiptare.
Fasoni humbet terren
Rënia më e dukshme vijon të jetë ajo e industrisë së tekstileve dhe këpucëve. Në gusht, eksportet e këtij grupi u tkurrën me 12.4%, pas rënies prej më shumë se 13% në korrik. Për tetë muajt e parë të vitit, eksportet e fasonit arritën në rreth 64 miliardë lekë, me rënie 8% krahasuar me një vit më parë. Ky është i vetmi grup i madh eksportues që vijon të ketë një tendencë të qartë negative. Pesha e tij në totalin e eksporteve ka rënë në 25.8%, nga rreth 30% një vit më parë. Kryetari i Shoqatës së Manifakturës, Florjan Zekja, e konsideron situatën gjithnjë e më shqetësuese. Sipas tij, sektori ka humbur rreth 25 mijë vende pune në pak vite, me numrin e të punësuarve që ka zbritur nga rreth 65 mijë në rreth 40 mijë. Zekja deklaron gjithashtu se eksportet e sektorit kanë rënë nga rreth 1.4 miliardë euro në vitin 2022 në rreth 960 milionë euro në vitin 2025. Sipas tij, një prej goditjeve kryesore për kompanitë eksportuese ka ardhur nga zhvlerësimi i euros. Kompanitë arkëtojnë në euro, ndërsa një pjesë e madhe e kostove të tyre paguhet në lekë, duke reduktuar të ardhurat dhe marzhet e fitimit. Presioni shtohet nga rritja e kostove të prodhimit, mungesa e fuqisë punëtore dhe konkurrenca e vendeve të rajonit.
Mineralet mbajnë eksportet në rritje
Në kahun tjetër, mineralet, lëndët djegëse dhe energjia vijojnë të japin një kontribut të rëndësishëm në rritjen e eksporteve, por edhe ky sektor ka humbur ndjeshëm ritmin. Në gusht, eksportet e grupit arritën në 5.2 miliardë lekë, me rritje 2.7% me bazë vjetore. Në korrik, rritja kishte qenë 32%. Për tetë muajt, eksportet e këtij grupi arritën në 54.4 miliardë lekë, me rritje 21% dhe me një peshë prej rreth 22% të totalit. Ecuria tregon se eksportet shqiptare vijojnë të jenë të ekspozuara ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Rritja e fortë e korrikut, e nxitur edhe nga faktorë të jashtëzakonshëm, nuk u përsërit në gusht.
Ushqimet vijojnë rritjen
“Ushqime, pije dhe duhan” mbetet një prej sektorëve me ecurinë më të qëndrueshme. Në gusht eksportet e këtij grupi u rritën me 8%, ndërsa për tetë muajt zgjerimi ishte 3.4%. Me një peshë prej 15.8% të totalit, grupi renditet tashmë i treti ndër eksportuesit kryesorë. Një tjetër burim i rritjes së korrikut që nuk u përsërit me të njëjtin intensitet në gusht ishin materialet e ndërtimit dhe metalet. Pas rritjes me më shumë se 70% në korrik, eksportet e këtij grupi u rritën me 10.4% në gusht.
Shenja ngadalësimi janë shfaqur edhe në industrinë automotive, e përfshirë në grupin “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”.
Deficiti tregtar thellohet
Ndërsa eksportet mezi u rritën, importet vijuan me ritme shumë më të larta. Në gusht, importet e mallrave arritën në 75.6 miliardë lekë, me rritje 12.6% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar.
Si rezultat, deficiti tregtar arriti në 55 miliardë lekë, me rritje 17.4% në bazë vjetore. Kjo krijon një tjetër problem për ekonominë shqiptare: edhe pse eksportet vijojnë të jenë në territor pozitiv në tetë muaj, rritja e tyre është dukshëm më e ngadaltë se ajo e importeve. Kjo do të thotë se kontributi i tregtisë së jashtme në ekonomi vijon të karakterizohet nga një varësi e lartë nga importet. Për periudhën janar-gusht 2026, eksportet arritën në 248 miliardë lekë, me rritje 6.3% krahasuar me një vit më parë, nga 6.7% që ishte rritja në shtatë muaj. Në këtë periudhë, ndikimin kryesor pozitiv e kanë dhënë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia, materialet e ndërtimit dhe metalet, si dhe makineritë dhe pjesët e këmbimit. Në kahun negativ vijon të jetë industria e tekstileve dhe këpucëve. Shifrat e gushtit tregojnë kështu një panoramë më pak optimiste se ajo e korrikut: rritja e eksporteve vijon, por ritmet janë ngadalësuar ndjeshëm dhe mbështeten kryesisht nga sektorë të lidhur me lëndët e para dhe kushtet e tregjeve ndërkombëtare, ndërsa një prej industrive më të mëdha për punësim dhe eksporte, fasoni, vijon të humbasë peshë.






Comments