Dhoma Amerikane ngre alarmin: Bizneset po dëmtohen, rrezikohen investimet në Shqipëri

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ngre shqetësimin për situatën e krijuar ditët e fundit, duke paralajmëruar se tensionet dhe pasiguria mund të dëmtojnë vijimësinë e bizneseve dhe të ndikojnë në besimin e investitorëve vendas e të huaj.
Në një deklaratë të publikuar sot, Dhoma bën të ditur se ka marrë raportime për biznese që janë përballur me dëmtime dhe ndërprerje të aktivitetit, ndërsa, sipas saj, një pjesë e tyre ndihen të pambrojtura nga institucionet përgjegjëse. “Pas çdo biznesi qëndrojnë punonjës dhe familje, të ardhurat dhe siguria e të cilëve varen nga vijimësia e punës”, thekson Dhoma Amerikane e Tregtisë, duke paralajmëruar se paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë vazhdimësinë, madje edhe ekzistencën e bizneseve.
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit nënvizojnë se garantimi i sigurisë publike, mbrojtja e njerëzve dhe pronës private, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës, kërkojnë veprime të koordinuara nga institucionet. Në të njëjtën kohë, ata u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve të refuzojnë dhunën dhe të angazhohen në dialog konstruktiv.
Dhoma Amerikane e Tregtisë e vendos situatën aktuale edhe në kontekstin e problemeve të kahershme të klimës së biznesit në Shqipëri. Sipas saj, pavarësisht rekomandimeve dhe propozimeve të paraqitura ndër vite pranë institucioneve publike, shumë prej shqetësimeve të anëtarëve nuk kanë marrë vëmendjen e duhur.
Në deklaratë përmenden edhe gjetjet e Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane për periudhën 2025–2026, i cili evidenton si problematika korrupsionin, monopolet, konkurrencën e pandershme, burokracinë dhe informalitetin. Sipas Dhomës, raporti evidenton gjithashtu një rënie të ndjeshme të perceptimit për klimën e biznesit.
Këtyre vështirësive, sipas saj, u shtohet tashmë pasiguria e krijuar nga zhvillimet e fundit. Dhoma paralajmëron se kjo situatë mund të ndikojë në vendimet e investitorëve për të investuar në Shqipëri, duke cenuar potencialin ekonomik të vendit. Në përfundim, Dhoma Amerikane e Tregtisë i bën thirrje qeverisë, institucioneve përgjegjëse dhe aktorëve të përfshirë të bashkëpunojnë për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës. Ajo kërkon masa të menjëhershme për uljen e tensioneve, garantimin e sigurisë publike dhe mbrojtjen e pronës, si dhe për të siguruar vijimësinë e aktivitetit ekonomik.






Comments