Dhoma amerikane: Klima e biznesit në rënien më të fortë historike
- 1 day ago
- 2 min read

Klima e biznesit në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm gjatë vitit 2025, sipas Indeksit të Biznesit të publikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham). Indeksi zbriti në 40.34 pikë nga 46.47 pikë që ishte një vit më parë, duke regjistruar rënien më të madhe që nga viti 2012, kur nisi publikimi i këtij vlerësimi.
Sipas raportit, faktorët që kanë ndikuar më shumë në përkeqësimin e klimës së biznesit janë klima e brendshme politike, infrastruktura, performanca e ekonomisë shqiptare, burokracia qeveritare dhe korrupsioni. Këta tregues kanë shënuar nivelet më të ulëta në 14 vitet e matjes së indeksit.
Presidenti i AmCham Albania, Neritan Mullaj, deklaroi se përkeqësimi i njëkohshëm i kaq shumë treguesve tregon se problemet nuk janë të izoluara, por prekin disa nga shtyllat kryesore të mjedisit të biznesit dhe investimeve në vend.
Anketa evidenton se shqetësimet kryesore të bizneseve mbeten konkurrenca e pandershme dhe monopoli, burokracia qeveritare, klima politike, ekonomia informale, mungesa e stafit të kualifikuar dhe korrupsioni. Rreth 73% e të anketuarve e vlerësojnë informalitetin si të lartë ose shumë të lartë, duke treguar se përpjekjet për formalizimin e ekonomisë nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.
Perceptimet e bizneseve janë përkeqësuar edhe në raport me institucionet publike. Rënia më e madhe është regjistruar në marrëdhëniet me pushtetin vendor, administratën tatimore, ministritë, autoritetet doganore dhe sistemin gjyqësor.
Ndërkohë, treguesit më pozitivë të indeksit mbeten furnizimi me energji elektrike, kërkesa për mallra dhe shërbime në eksport, si dhe marrëdhëniet me administratën doganore. Për herë të parë, anketa përfshiu edhe vlerësimin e mjedisit digjital, ku infrastruktura digjitale mori vlerësime më pozitive krahasuar me shërbimet elektronike publike.
Sa i përket vitit 2026, bizneset nuk shfaqen optimiste. Pas zhgënjimit nga pritshmëritë për përmirësim në vitin 2025, kompanitë presin që klima e biznesit të mbetet në nivele të ngjashme, pa shenja të qarta përmirësimi në afatin e afërt.






Comments