top of page

Dëmet në banka, reagon Banka e Shqipërisë: Nuk ka vend për panik, pagesat vijojnë normalisht

Oct 19
1 min read

Banka e Shqipërisë garanton se depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta, pavarësisht dëmtimeve të regjistruara ditët e fundit në disa degë bankash dhe bankomate. Në një deklaratë për shtyp të publikuar këtë të hënë, institucioni qendror bankar thekson se incidentet kanë shkaktuar dëme materiale dhe kufizime të përkohshme në shërbime, por nuk kanë cenuar qëndrueshmërinë financiare të bankave.


Sipas Bankës së Shqipërisë, shërbimi i pagesave ka vijuar normalisht dhe pa ndërprerje, duke garantuar përmbushjen e nevojave të bizneseve dhe familjeve. Ndërkohë, kufizimet e përkohshme në disa degë lidhen me masat për mbrojtjen e sigurisë fizike të punonjësve dhe klientëve.


Institucioni bën të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me bankat tregtare dhe institucionet përkatëse për të ndjekur situatën dhe masat e marra për garantimin e sigurisë së klientëve, punonjësve dhe infrastrukturës bankare. Në deklaratë, Banka e Shqipërisë u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve të ndjekin njoftimet zyrtare të bankave përkatëse dhe të përdorin kanalet alternative të shërbimit bankar, kur është e mundur.


Institucioni u drejtohet gjithashtu qytetarëve që të respektojnë dhe të mbrojnë sigurinë e institucioneve bankare, ambienteve dhe punonjësve të tyre, edhe gjatë ushtrimit të së drejtës për protestë paqësore. “Ruajtja e këtyre institucioneve do të thotë ruajtje e shërbimeve dhe e funksioneve që u përkasin dhe u shërbejnë të gjithëve”, thekson Banka e Shqipërisë.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page