top of page

Goditja ndaj biznesit, Dhoma e Tregtisë kërkon masa: Autorët të mbajnë përgjegjësi!

Oct 15
2 min read

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, së bashku me tetë shoqata të biznesit, iu bëjnë thirrje institucioneve shtetërore të marrin masa për mbrojtjen e pronës publike dhe private, pas akteve të dhunës dhe dëmtimeve të raportuara gjatë protestave në kryeqytet. Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e sipërmarrjes theksojnë se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është themelore dhe duhet të garantohet, por dëmtimi i institucioneve, bankave, qendrave tregtare dhe objekteve të biznesit është i papranueshëm. Sipas tyre, pasojat e këtyre akteve nuk kufizohen vetëm te dëmet materiale të bizneseve, por prekin edhe punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit.


“Bizneset, punonjësit dhe pronat e tyre nuk mund të bëhen shënjestër e tensioneve politike”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se pas çdo sipërmarrjeje qëndrojnë investime, vite pune, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej saj. Dhoma e Tregtisë dhe shoqatat i kërkojnë Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa parandaluese për garantimin e sigurisë, veçanërisht në zonat e rrezikuara. Njëkohësisht, ato nënvizojnë se ndërhyrjet policore duhet të jenë profesionale, proporcionale dhe në përputhje me ligjin, duke mbrojtur protestuesit paqësorë, qytetarët dhe punonjësit e bizneseve.


Një tjetër kërkesë lidhet me identifikimin e autorëve të akteve të dhunës dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë individuale, pa fajësuar në mënyrë kolektive pjesëmarrësit në protestat paqësore. Përfaqësuesit e biznesit kërkojnë gjithashtu dokumentimin e plotë të dëmeve dhe komunikim të drejtpërdrejtë mes autoriteteve dhe sipërmarrjeve të prekura, në mënyrë që të ndiqen procedurat përkatëse. Në deklaratë u bëhet thirrje edhe organizatorëve të protestave dhe forcave politike të distancohen nga aktet e dhunës dhe të kontribuojnë në shmangien e përshkallëzimit të tensioneve.


Deklarata është nënshkruar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Manifaktura Shqiptare, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare, Shoqata e Bimëve Medicinale dhe Shoqata e Grave Profesioniste Afariste dhe Zejtare.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page