DASH “skanon” Shqipërinë: Korrupsioni pengesë për investitorët

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë kapital të huaj, përfshirë investime nga Shtetet e Bashkuara, por në të njëjtën kohë përballet me probleme që vijojnë të ndikojnë te vendimmarrja e investitorëve. Ky është një nga përfundimet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në vend. Ekonomia shqiptare ka vijuar të zgjerohet, ndërsa investimet e huaja direkte kanë arritur nivele të larta. Sipas të dhënave të paraqitura në raport, fluksi i investimeve të huaja direkte në vitin 2025 arriti rreth 1.84 miliardë dollarë, ndërsa stoku i investimeve të huaja u ngjit në rreth 17 miliardë dollarë. Edhe kapitali amerikan ka shënuar rritje. Stoku i investimeve amerikane në Shqipëri arriti në 490 milionë dollarë gjatë vitit 2025, nga 382 milionë dollarë një vit më parë. Vetëm investimet e reja amerikane gjatë vitit të kaluar llogariten në rreth 72 milionë dollarë.
Megjithatë, DASH vëren se shifrat e investimeve nuk e fshehin problematikën e klimës së biznesit. Ndër shqetësimet e raportuara nga investitorët përfshihen korrupsioni në administratë, sistemin gjyqësor dhe prokurimet publike, konkurrenca e pandershme, ekonomia informale, pasiguria mbi pronën dhe zbatimi i dobët i kontratave. Një tjetër faktor që po ndikon te bizneset është emigrimi i të rinjve dhe i punonjësve të kualifikuar. Mungesa e fuqisë punëtore është bërë veçanërisht e dukshme në sektorë si turizmi, ndërsa kompanitë po kërkojnë gjithnjë e më shumë punonjës nga jashtë vendit.
Problemet me pronësinë e pasurive mbeten gjithashtu një prej pikave të dobëta. Dokumentacioni i paplotë, proceset e regjistrimit dhe pasiguria mbi titujt e pronësisë krijojnë rrezik shtesë për investitorët që kërkojnë të blejnë ose zhvillojnë prona. Në të njëjtën kohë, raporti evidenton zhvillime pozitive në sistemin financiar. Kreditë me probleme ranë në fund të vitit 2025, ndërsa kredidhënia u rrit. Sistemi bankar paraqitet likuid dhe i kapitalizuar, duke krijuar një nga elementët më të qëndrueshëm të mjedisit ekonomik.






Comments