top of page

Cash-i nuk vdes! Euroja ndryshon fytyrë, por paratë në dorë mbeten

Aug 24
3 min read

Me rritjen e pagesave digjitale dhe bindjen në rritje se paratë cash do të zëvendësohen nga euroja digjitale, Banka Qëndore Europiane  prezanton kartëmonedhat e reja me një mesazh të qartë: cash-i do të mbetet. Euroja ndryshon pamje. Imazhe të njohura në vend të motiveve abstrakte, elemente sigurie më të sofistikuara dhe një dizajn i menduar për t’i afruar kartëmonedhat me qytetarët, janë këto disa nga karakteristikat kryesore të kartëmonedhave të reja të euros. Banka Qëndrore Europiane prezantoi në korrik propozimet për kartëmonedhat e reja, me skica që shënojnë një ndryshim të dukshëm krahasuar me ato që janë aktualisht në qarkullim. Është hera e parë që BQE ndërmerr një ndryshim kaq të rëndësishëm në pamjen e parave që përdoren nga europianët.

“Po punojmë për rishikimin e parë të plotë grafik të kartëmonedhave të euros, me tema, motive dhe dizajne të reja, me synimin për t’i bërë kartëmonedhat e ardhshme edhe më të afërta me europianët”, deklaroi për Euroneës Doris Schneeberger, drejtoreshë e kartmonedhave në BQE. Mes propozimeve finaliste të prezantuara janë dy tema kryesore: kultura europiane dhe pasuria e natyrës. Në alternativën e parë, BQE propozon paraqitjen e personaliteteve që kanë lënë gjurmë në historinë e artit, muzikës, shkencës dhe letërsisë europiane. Në alternativën tjetër, në kartëmonedhë mund të shfaqen lumenj dhe zogj.

Banka qendrore ka nisur një konsultim publik, për t’u dhënë qytetarëve mundësinë të zgjedhin alternativën përfundimtare. Megjithatë, futja e kartëmonedhave të reja në qarkullim do të kërkojë ende disa vite. Një burim nga sektori bankar i tha Euroneës se kartëmonedhat mund të shfaqen jo më herët se viti 2029. Schneeberger tha se sondazhi ka mbledhur tashmë përgjigjet e “miliona europianëve”. Projekti fitues pritet të shpallet në dhjetor 2026.

 

A do të zhduket cash-i?

 

“Askush nuk do të rikonstruktonte një shtëpi që është planifikuar të shembet në të ardhmen e afërt”, tha Schneeberger, duke bërë një paralelizëm me dizajnin e ri të kartmonedhave. Me rritjen e pagesave digjitale BQE synon të forcojë rolin e kartmonedhave si forma kryesore e “parasë publike” në dispozicion të qytetarëve. Me “para publike” nënkuptohen paratë e emetuara nga një bankë qendrore: cash-i fizik, pra kartëmonedhat dhe monedhat, të destinuara për publikun, si dhe rezervat që bankat tregtare mbajnë pranë bankës qendrore. Ndërsa paratë private krijohen nga bankat tregtare dhe kryesisht marrin formën e depozitave në llogaritë rrjedhëse dhe të kursimit. Këto përbëjnë pjesën më të madhe të parave që përdoren në transaksionet e përditshme, si transfertat bankare dhe pagesat me karta. Paralelisht, me futjen e euros digjitale, një formë e re elektronike e pagesës në para publike që mund të jetë e disponueshme nga viti 2029, BQE synon të kundërshtojë pretendimet se cash-i do të zhduket dhe do të zëvendësohet nga valuta e re digjitale.

“Jemi të angazhuar për të garantuar që pagesa me para publike të jetë gjithmonë një mundësi, si në cash ashtu edhe me euro digjitale. Euroja digjitale do t’i bashkohej cash-it dhe nuk do ta zëvendësonte atë. Të gjithë europianët do të vazhdojnë të jenë të lirë të zgjedhin mënyrën e pagesës: cash, euro digjitale ose një tjetër mjet pagese”, tha Schneeberger për Euroneës.

Deri tani, vetëm një ndryshim i kartmonedhave

Kartëmonedhat e euros kanë ndryshuar vetëm një herë që nga krijimi i monedhës së përbashkët dhe struktura e tyre grafike ka mbetur në masë të madhe e njëjtë. “Që nga hyrja e tyre e parë në qarkullim në vitin 2002, tema e kartëmonedhave të euros ka qenë ‘Epokat dhe stilet’, e simbolizuar përmes dritareve, portaleve dhe urave. Me serinë Europa, të emetuar midis viteve 2013 dhe 2019, ato morën një ridizajnim, por pamja e përgjithshme vizuale mbeti e ngjashme”, shpjegoi Schneeberger. Kartëmonedhat aktuale të euros paraqesin monumente abstrakte që në fakt nuk ekzistojnë, kujtoi Schneeberger. Projekti i ri synon të shkojë më tej, duke krijuar kartëmonedha me të cilat europianët e të gjitha moshave mund të identifikohen dhe për të cilat mund të ndihen krenarë.

“Me propozimet e reja grafike kemi mundësinë t’i bëjmë kartëmonedha më të afërta me njerëzit, duke paraqitur persona realë, zogj të vërtetë dhe ndërtesa reale”, përfundoi drejtoresha e Bankënotave në BQE /Euronews

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page