top of page

Bypass-i i Tiranës/ Shpallet fituesi për lotin e tretë, 1.38 miliardë lekë për aksin Kashar–Nyja Vaqarr

Oct 12
1 min read

Projekti për ndërtimin e bypass-it të Tiranës ka hyrë në një tjetër fazë, me shpalljen e fituesit për lotin e tretë, që parashikon ndërtimin e segmentit rrugor nga Kashari deri te Nyja Vaqarr. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituese kompaninë “Elmazaj Konstruksion”, me një ofertë prej rreth 1.38 miliardë lekësh, për një kontratë që synon të krijojë një lidhje të re mes bypass-it dhe autostradës Tiranë–Durrës. Oferta e shpallur fituese është më e ulët se fondi limit i tenderit, i cili ishte përcaktuar në rreth 1.55 miliardë lekë. Diferenca mes dy vlerave arrin afërsisht 168.9 milionë lekë, ose rreth 11% e fondit limit.


Ndërtimi i këtij segmenti konsiderohet një hallkë e rëndësishme për vijimin e projektit, pasi do të mundësojë lidhjen e bypass-it me autostradën Tiranë–Durrës në zonën e Kasharit. Synimi është që automjetet që udhëtojnë drejt jugut dhe juglindjes të kenë një alternativë tjetër lëvizjeje, pa qenë e nevojshme të kalojnë përmes rrugëve të brendshme të kryeqytetit. Bypass-i është projektuar për të devijuar një pjesë të trafikut tranzit jashtë Tiranës, duke lehtësuar ngarkesën në akset urbane dhe duke përmirësuar lidhjet mes korridoreve kryesore rrugore.


Projekti i përgjithshëm parashikon ndërtimin e një aksi me gjatësi rreth 21.6 kilometra, që do të lidhë autostradën Tiranë–Durrës me atë Tiranë–Elbasan. Rruga është konceptuar si autostradë e kategorisë A, me nga dy korsi në secilin drejtim dhe shpejtësi projektimi deri në 120 kilometra në orë.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page