Buxhet rekord për 2027, Malaj zbulon ku do të shkojnë paratë

Buxheti i shtetit për vitin 2027 do të kalojë për herë të parë nivelin e 10 miliardë eurove. Shifra u bë e ditur nga ministri i Financave, Petrit Malaj, pas takimit të kryeministrit Edi Rama me ministrat dhe funksionarë të lartë të Partisë Socialiste dhe qeverisë, ku nisën diskutimet për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Sipas Malajt, buxheti rekord do të fokusohet te disa sektorë, me prioritet mbështetjen sociale, familjet me fëmijë, bujqësinë dhe shëndetësinë. “Sa i përket buxhetit të vitit 2027, është natyrisht buxheti më i madh. Këtë herë kemi kaluar edhe nivelin e 10 miliardë eurove”, deklaroi ministri i Financave.
Një nga ndryshimet e rëndësishme do të jetë zgjerimi i mbështetjes për fëmijët me aftësi ndryshe. Malaj bëri të ditur se pagesat për këtë kategori do të dyfishohen gjatë vitit të ardhshëm. Në të njëjtën kohë, qeveria parashikon njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e fëmijëve, një masë që synon të mbështesë familjet që kujdesen për fëmijë me nevoja të veçanta. Një tjetër politikë që do të nisë në vitin 2027 është skema e re e bonusit të bebeve. Ndryshe nga skema aktuale, e cila jep një pagesë të vetme pas lindjes, bonusi i ri do të paguhet çdo muaj.
“Do aplikojmë për herë të parë duke nisur nga viti 2027 bonusin e bebeve, që do të paguhet çdo muaj”, tha Malaj. Bujqësia do të jetë gjithashtu një nga sektorët me mbështetje të shtuar. Qeveria parashikon të vijojë programin e kompensimit të TVSH-së për fermerët, ndërsa skema e mbështetjes direkte pritet të arrijë në 5.3 miliardë lekë. “Te Bujqësia do vijojmë edhe gjatë 2027 me programin e kompensimit të TVSH-së. Skema e mbështetjes direkt të fermerëve parashikohet në rritje në masën 5.3 miliardë lekë”, deklaroi ministri.
Shëndetësia është një tjetër prioritet i buxhetit të vitit të ardhshëm. Sipas Malajt, financimi për barnat dhe pajisjet në shërbimin e kujdesit parësor dhe dytësor do të rritet me rreth 1 miliard lekë. “Shëndetësia do jetë në fokus të buxhetit. Kemi bërë rritje me rreth 1 miliard lekë për financimin e barnave e pajisjeve në shërbimin e kujdesit parësor dhe dytësor”, tha ai.
Në paketën e masave për vitin 2027 përfshihet edhe përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat personale për shtresat në nevojë. Ndërkohë, qeveria ka përmbushur edhe angazhimin për financimin e mbrojtjes në nivelin 2.35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, një nga prioritetet kryesore do të jetë kompletimi i misionit që Shqipëria ka në Bruksel.






Comments