Blerjet online po kthehen në makth? Ja çfarë duhet të kontrolloni para se të paguani
- 3 days ago
- 2 min read

Blerjet online po shoqërohen gjithnjë e më shpesh me ankesa nga konsumatorët për produkte që nuk përputhen me përshkrimin, porosi që nuk mbërrijnë, mungesë faturash tatimore dhe raste kur shitësit nuk janë më të kontaktueshëm pas kryerjes së pagesës. Në një apel drejtuar konsumatorëve, Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut u bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm përpara se të kryejnë një blerje online dhe të verifikojnë sa më shumë të dhëna rreth shitësit dhe produktit.
Verifikoni shitësin përpara se të paguani
Sipas IQMT-së, një nga hapat e parë që duhet të ndërmarrë konsumatori është verifikimi i identitetit të shitësit. Përpara porosisë, qytetarët duhet të kontrollojnë nëse subjekti është i identifikueshëm dhe nëse publikon të dhëna të tilla si emërtimi i subjektit, NIPT-i, adresa dhe kontaktet. Një tjetër sinjal që duhet të ngrejë dyshime janë ofertat me çmime jashtëzakonisht të ulëta. Çmimet që duken “tepër të mira për të qenë të vërteta” mund të jenë një tregues se konsumatori duhet të verifikojë më me kujdes shitësin dhe kushtet e blerjes.
Kujdes me pagesat paradhënie
IQMT këshillon konsumatorët të shmangin pagesat paradhënie në llogari personale apo përmes aplikacioneve të transfertave private, veçanërisht kur nuk kanë të dhëna të qarta mbi subjektin që po kryen shitjen. Po aq e rëndësishme është edhe ruajtja e çdo prove që lidhet me blerjen. Konsumatorët duhet të mbajnë të ruajtura bisedat me shitësin, njoftimin e produktit, konfirmimin e porosisë, dokumentin e pagesës, faturën dhe kuponin tatimor, pasi këto dokumente mund të jenë të rëndësishme në rast të një ankese apo mosmarrëveshjeje.
Fatura është një e drejtë e konsumatorit
Në njoftimin e tij, IQMT sjell në vëmendje edhe të drejtën e konsumatorit për të marrë faturë për blerjen.
Sipas nenit 9, pika 7, të Ligjit nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, çdo blerësi, person fizik ose juridik, apo individi, i lind e drejta të mos kryejë transaksionin për vlerën e mallit ose shërbimit të ofruar, nëse shitësi nuk lëshon një faturë me të gjitha të dhënat e detyrueshme, në përputhje me ligjin.
Kjo do të thotë se konsumatorët duhet të kërkojnë gjithmonë faturën e blerjes dhe të tregohen të kujdesshëm kur shitësi refuzon ta lëshojë atë.
IQMT: Denonconi rastet e abuzimit
Përballë shtimit të ankesave lidhur me tregtinë online, IQMT u bën thirrje konsumatorëve të mos heshtin përballë rasteve të abuzimit apo mashtrimit. Institucioni i fton qytetarët të denoncojnë rastet problematike dhe të ruajnë të gjitha provat që disponojnë lidhur me blerjen, komunikimin me shitësin dhe pagesën. Mesazhi për konsumatorët është i qartë: përpara se të paguani, verifikoni shitësin, kontrolloni kushtet e blerjes, kërkoni faturën dhe ruani çdo dokument apo komunikim që lidhet me transaksionin.






Comments