Berati drejt transportit publik elektrik dhe inteligjent, mbi 276 mln lekë investim

Mbi 276 milionë lekë pritet të investohen për modernizimin e transportit publik në qytetin e Beratit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për ngritjen e një sistemi të integruar të transportit publik elektrik dhe inteligjent, që synon të transformojë flotën dhe mënyrën e funksionimit të shërbimit urban.
Projekti nuk kufizohet vetëm te blerja e mjeteve elektrike, por përfshin edhe ndërtimin e infrastrukturës së karikimit, vendosjen e stacioneve inteligjente dhe implementimin e sistemeve dixhitale për menaxhimin e transportit. Në kuadër të investimit parashikohet blerja e autobusëve dhe minibusëve 100% elektrikë. Autobusët urbanë, me gjatësi rreth 12 metra, duhet të kenë një kapacitet prej të paktën 80 pasagjerësh dhe autonomi minimale prej 250 kilometrash me një karikim. Ndërkohë, minibusët elektrikë do të jenë të përshtatshëm për lëvizjen në rrugët më të ngushta të qytetit dhe duhet të ofrojnë një autonomi prej të paktën 150 kilometrash.
65 stacione inteligjente
Një nga komponentët kryesorë të projektit është krijimi i një rrjeti prej 65 stacionesh inteligjente. Në këto pika, qytetarët do të kenë akses në informacionin në kohë reale për mbërritjen e autobusëve.
Informacioni do të jetë i disponueshëm edhe në ekranet e vendosura brenda autobusëve, përmes një aplikacioni celular dhe në një portal online.
7 pika karikimi për flotën elektrike
Investimi parashikon gjithashtu ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për furnizimin me energji të flotës së re. Do të instalohen 5 pika karikimi me fuqi 50 kW, të destinuara kryesisht për karikimin gjatë natës, si dhe 2 karikues të shpejtë me fuqi 150 kW. Karikuesit e shpejtë parashikohet të vendosen në dy pika strategjike të qytetit, në Terminal dhe pranë Spitalit. Sistemi do të mundësojë menaxhimin automatik të orareve dhe fuqisë së karikimit për autobusët.
Biletat kalojnë në sistemin dixhital
Modernizimi do të prekë edhe mënyrën e pagesës së transportit publik. Autobusët do të pajisen me sisteme elektronike biletimi, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të përdorin karta contactless, bileta elektronike përmes QR Code dhe aplikacione mobile.
Në këtë mënyrë, projekti synon të krijojë në Berat një sistem transporti publik më të pastër, më të dixhitalizuar dhe më efikas, duke kombinuar elektrifikimin e flotës me teknologjinë dhe informacionin në kohë reale për pasagjerët.






Comments