BE frenon makinat kineze, miliona automjete më pak pritet të hyjnë në Europë

Bashkimi Europian dhe Kina kanë arritur një mirëkuptim për të kufizuar eksportet e automjeteve hibride kineze drejt tregut europian, në një përpjekje për të ulur çekuilibrin tregtar mes dy ekonomive dhe për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve ekonomike. Sipas komisionerit europian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, marrëveshja mund të sjellë një ulje prej më shumë se gjysmës të eksporteve kineze të makinave hibride dhe hibride me karikim nga jashtë (plug-in) drejt Bashkimit Europian gjatë katër viteve të ardhshme, krahasuar me skenarin pa masa të reja.
Kjo do të nënkuptonte miliona automjete më pak të importuara në tregun europian. Prodhuesit europianë të automjeteve po përballen me presionin e konkurrencës nga makinat kineze, të cilat kanë fituar terren falë çmimeve konkurruese dhe zgjerimit të shpejtë të kapaciteteve të prodhimit. Rritja e importeve ka shtuar shqetësimet për industrinë automobilistike europiane, një sektor që punëson miliona njerëz dhe ka peshë të rëndësishme në ekonomitë e vendeve si Gjermania dhe Franca.
Tensionet janë shtuar edhe pas vendosjes nga BE-ja të tarifave shtesë për automjetet elektrike kineze në vitin 2024. Ndërkohë, eksportet e automjeteve hibride kanë fituar rëndësi në tregun europian. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, importet kineze të automjeteve hibride me karikim nga jashtë përbëjnë tashmë më shumë se gjysmën e këtij segmenti në tregun e BE-së.






Comments