top of page

Bankat japin alarmin për pronat, rritet frika për tregun imobiliar

Sep 25
2 min read

Sektori bankar po vlerëson me më shumë kujdes disa prej rreziqeve që mund të ndikojnë në stabilitetin financiar të vendit. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, bankat kanë rritur perceptimin e rrezikut që lidhet me tregun e pasurive të paluajtshme, ndërsa është shtuar edhe shqetësimi për rrezikun politik.


Transferimi i goditjeve nga ekonomia ndërkombëtare vijon të konsiderohet rreziku sistemik më i rëndësishëm. Pas një zbutjeje gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025, ky rrezik është vlerësuar sërish si “i lartë” nga bankat në gjashtëmujorin e parë të 2026-s. Sipas vlerësimit të sektorit bankar, pasiguritë ekonomike dhe gjeopolitike në tregjet ndërkombëtare mund të transmetohen edhe në ekonominë shqiptare, duke ndikuar në aktivitetin ekonomik dhe financiar.


Në vend të dytë është renditur rreziku që lidhet me luhatjen e vlerës së pasurive të paluajtshme. Vlerësimi për këtë rrezik është rritur nga niveli “i ulët” në “mesatar”. Rritja e vazhdueshme e çmimeve të pronave dhe ekspozimi i bankave ndaj këtij tregu mbeten ndër faktorët që kërkojnë monitorim. Shqetësimi lidhet veçanërisht me mundësinë që një korrigjim i çmimeve të ndikojë në vlerën e kolateralit të kredive dhe, si rrjedhojë, të rrisë rrezikun e kredisë. Edhe ekonomia e brendshme mbetet në listën e rreziqeve kryesore sistemike. Megjithëse perceptimi për këtë rrezik është zbutur krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2025, ai vijon të vlerësohet në nivel “mesatar”. Një tjetër rrezik i rëndësishëm është ai kibernetik. Bankat e kanë ulur vlerësimin për rëndësinë e tij gjatë gjysmës së parë të këtij viti, krahasuar me dy periudhat e mëparshme. Ky ndryshim mund të lidhet me investimet dhe masat e ndërmarra nga bankat për forcimin e mbrojtjes ndaj sulmeve kibernetike.


Megjithatë, rritja e digjitalizimit të shërbimeve financiare dhe kompleksiteti i kërcënimeve bëjnë që siguria kibernetike të mbetet një sfidë e rëndësishme për sektorin bankar. Në të njëjtën kohë, është rritur edhe perceptimi për rrezikun politik, i cili është përfshirë sërish në grupin e rreziqeve kryesore sistemike. Sipas vlerësimit të bankave, pasiguritë politike dhe institucionale mund të ndikojnë në pritjet e bizneseve dhe konsumatorëve, si dhe në klimën e përgjithshme të biznesit.




Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page