Banka e Shqipërisë jep sinjalin e fortë, mund të rrisë normat e interesit. Inflacioni po kërcënon

Banka e Shqipërisë ka dhënë sinjalin e parë të qartë për një ndryshim të mundshëm të kursit të politikës monetare, ndërsa presionet mbi inflacionin janë rritur më shumë nga sa pritej. Këshilli Mbikëqyrës vendosi më 7 tetor të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%, por paralajmëroi se zhvillimet e fundit krijojnë premisa për një reagim më shtrëngues në të ardhmen. Guvernatori Gent Sejko deklaroi se informacioni i ri i mbledhur gjatë dy muajve të fundit tregon për rritje të presioneve inflacioniste, të nxitura kryesisht nga rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe inflacioni në vendet partnere tregtare. Në të njëjtën kohë, ekonomia shqiptare vijon të rritet me ritme solide dhe kreditimi po zgjerohet me shpejtësi.
“Inflacioni ka gjasa të rritet më tej gjatë dy tremujorëve në vijim”, tha Sejko, duke shtuar se rritja pritet të jetë e moderuar dhe e përkohshme. Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, pas kësaj periudhe inflacioni pritet të nisë rënien graduale drejt objektivit, duke filluar nga mesi i vitit të ardhshëm. Në muajt korrik-gusht, inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit arriti në 3.3%, i ndikuar veçanërisht nga rritja e çmimeve të naftës, produkteve energjetike, ushqimeve dhe lëndëve të tjera bazë në tregjet ndërkombëtare. Banka e Shqipërisë vëren se këto çmime u rritën me shpejtësi për shkak të intensifikimit të tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Inflacioni në Shqipëri rezultoi gjithashtu më i lartë se pritjet e mëparshme të bankës qendrore. Rritja e çmimeve është reflektuar kryesisht te karburantet dhe ushqimet e papërpunuara. Në të kundërt, inflacioni i shërbimeve dhe qirave ka ardhur në rënie. Banka vlerëson se forcimi i lekut nuk ka qenë i mjaftueshëm për të kompensuar plotësisht rritjen e çmimeve në tregjet e huaja, duke sjellë rritje të inflacionit të importuar. Një tjetër burim presioni mbetet tregu i punës. Sipas Bankës së Shqipërisë, mungesat e fuqisë punëtore dhe rritja e shpejtë e pagave vazhdojnë të krijojnë presione të brendshme dhe afatmesme mbi inflacionin.
Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%.
Megjithatë, banka qendrore e ka bërë të qartë se kjo situatë mund të mos zgjasë. “Këshilli Mbikëqyrës thekson se rritja e presioneve mbi inflacionin dhe prania e rreziqeve të kahut të sipërm mbi parashikimet tona, forcojnë premisat e një reagimi në kahun shtrëngues të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen”, thuhet në deklaratë.






Comments