top of page

Banka Botërore "jep recetën" për krizën në tregun e punës: Përdorni Inteligjencë Artificiale!

Oct 6
2 min read

Një në pesë punonjës në Europë dhe Azinë Qendrore është i ekspozuar ndaj inteligjencës artificiale, ndërsa më pak se një në dhjetë biznese e përdorin aktualisht. Banka Botërore paralajmëron se sfida për ekonomitë e rajonit nuk është përdorimi i tepërt i IA-së, por vonesa në përvetësimin e saj. Inteligjenca artificiale mund të bëhet një nga instrumentet kryesore për rritjen e produktivitetit dhe për përballimin e tkurrjes së popullsisë në moshë pune në Europë dhe Azinë Qendrore.


Ky është një nga përfundimet kryesore të raportit të ri të Bankës Botërore për ekonominë e rajonit. Sipas raportit, rreth një në pesë punonjës janë të angazhuar në profesione që janë të ekspozuara në mënyrë të konsiderueshme ndaj inteligjencës artificiale. Bëhet fjalë kryesisht për punonjës të rinj dhe me nivel të lartë arsimimi. Por, pavarësisht ekspozimit të lartë të fuqisë punëtore, përdorimi real i kësaj teknologjie nga bizneset mbetet ende i kufizuar. Më pak se një në dhjetë ndërmarrje në rajon përdorin aktualisht IA, kryesisht për detyra bazike. Kjo krijon një hendek të madh mes potencialit të teknologjisë dhe aftësisë së ekonomive për ta përdorur atë.


Kryekonomisti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, Ivailo Izvorski, e konsideron përgatitjen e fuqisë punëtore një nga çelësat për përfitimin ekonomik nga inteligjenca artificiale. “Ndërsa sektori privat duhet të shërbejë si motori kryesor drejt përvetësimit, përshtatjes dhe inovacionit, përgatitja e fuqisë punëtore për Inteligjencën Artificiale u ofron politikëbërësve një mundësi reale për të adresuar sfidën e vendeve të punës dhe për të gjeneruar rritje ekonomike”, deklaroi ai. Sipas Bankës Botërore, gjatë dekadës së ardhshme rreziku më i madh për rajonin mund të jetë përdorimi dhe përshtatja e pamjaftueshme e IA-së, dhe jo përdorimi i tepërt i saj. Kjo do të thotë se ekonomitë që nuk investojnë në aftësitë e punonjësve, infrastrukturën digjitale dhe kapacitetet kompjuterike mund të humbasin një mundësi të rëndësishme për rritje. Tkurrja e popullsisë në moshë pune po shndërrohet në një problem ekonomik për vendet e rajonit, duke krijuar presion mbi tregun e punës dhe produktivitetin.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page