Avancon bypassi i Elbasanit, Karakaçi jep detajet e punimeve

Punimet për bypass-in e Elbasanit kanë avancuar dhe tashmë janë lidhur kontratat për dy fazat e para të projektit. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së qeverisë. Sipas tij, punimet kanë nisur në pjesën ku përfundon autostrada Elbasan-Librazhd, ndërsa investimi do të vijojë edhe gjatë vitit 2027.
“Kemi lidhur kontratën për dy fazat e para, atje ku përfundon autostrada Elbasan-Librazhd. Janë lidhur kontrata dhe ka avancuar punimi. Presim që të vijojmë me lajme të mira. Edhe në buxhetin 2027 ne vazhdojmë me fazat pasuese për bypass-in e Elbasanit”, deklaroi Karakaçi.
Ministri nuk dha në këtë dalje publike detaje për afatet konkrete të përfundimit të dy fazave të para, por konfirmoi se projekti do të ketë financim edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm. Bypass-i synon të krijojë një alternativë të re për qarkullimin në zonën e Elbasanit dhe të përmirësojë lidhjet rrugore në aksin drejt Librazhdit. Vijimi i projektit me fazat e tjera do të jetë pjesë e investimeve të parashikuara për vitin 2027.






Comments