Autostrada Tiranë-Durrës bllokohet për dy net, ARRSH njofton devijimet e trafikut

Qarkullimi në Superstradën Tiranë–Durrës do të kufizohet përkohësisht për dy net, në kuadër të vijimit të punimeve për projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës, Faza III”. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, kufizimet lidhen me punimet për montimin e trarëve tërthorë në hapësirën e mesit të mbikalimit dhe do të kryhen gjatë orëve të natës, për të garantuar sigurinë e punimeve dhe të përdoruesve të rrugës. Sonte, më 21 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të bllokohet përkohësisht qarkullimi në drejtimin Tiranë–Durrës. Trafiku do të devijohet nëpërmjet rampës në drejtim të Rinasit dhe më pas në rrugën dytësore, për t’u rikthyer në superstradë përmes rrugës së Rinasit dhe rampës në drejtim të Durrësit. Për mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, ARRSH rekomandon që devijimi të nisë që nga rrethrrotullimi i Casa Italia, për të shmangur përdorimin dhe dëmtimin e rampës provizore të Rinasit. Ndërsa më 22 shtator, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të bllokohet drejtimi i kundërt, Durrës–Tiranë. Në këtë rast, trafiku do të devijohet nëpërmjet mbikalimit Kashar–Thumanë, duke vijuar në rrugën dytësore në anën e majtë të superstradës deri pas mbikalimit të Kasharit, ku automjetet do të rikthehen në autostradë në drejtim të Tiranës. Për automjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën, orientimi do të nisë që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë, për të vijuar në drejtimet përkatëse. ARRSH njofton se gjatë orareve të bllokimit trafiku do të devijohet në rrugët dytësore në të dyja anët e superstradës, sipas sinjalistikës dhe masave të përcaktuara në Planin e Menaxhimit të Trafikut. Autoriteti Rrugor Shqiptar u kërkon drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë punimeve, ndërsa drejtuesve të automjeteve u rekomandohet të planifikojnë paraprakisht itinerarin dhe, sa të jetë e mundur, të shmangin këtë segment gjatë orëve të ndërhyrjes.






Comments