Alarm në transportin publik/ Nga 1 shtatori, deri në 30% më pak autobusë në qarkullim

Operatorët e transportit publik paralajmërojnë se duke nisur nga 1 shtator 2026 do të reduktojnë me rreth 20-30% numrin e mjeteve në qarkullim, për shkak të vështirësive financiare dhe rritjes së kostove të operimit. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban i është drejtuar me një kërkesë Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si edhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme institucionale. Në shkresën e datës 31 gusht 2026, operatorët ngrenë shqetësimin se situata financiare e kompanive të transportit publik ka arritur në një pikë kritike, duke vështirësuar vijimin e shërbimit me kapacitet të plotë. Sipas tyre, nga dita e nesërme operatorët do të detyrohen të nxjerrin në qarkullim një numër më të ulët autobusësh, me reduktimin që pritet të variojë nga 20 deri në 30%, në varësi të mundësive financiare të secilës kompani. Një nga shqetësimet kryesore lidhet me kostot e karburantit, të cilat operatorët i konsiderojnë një nga zërat më të rëndësishëm të shpenzimeve. Shoqatat theksojnë se, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme drejtuar institucioneve, ende nuk është dhënë një zgjidhje konkrete për kompensimin e këtyre kostove. Reduktimi i flotës pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët. Më pak autobusë në qarkullim do të thotë frekuencë më e ulët, kohë më e gjatë pritjeje në stacione dhe mbingarkesë të mjeteve që do të vijojnë të ofrojnë shërbimin. Operatorët kërkojnë ndërhyrje të shpejtë nga institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e situatës dhe garantimin e kompensimit të kostove të karburantit, me qëllim rikthimin e shërbimit në kapacitet të plotë. Në të kundërt, paralajmërimi i tyre është se përkeqësimi i situatës financiare mund të reflektohet drejtpërdrejt në cilësinë e transportit publik, duke sjellë më pak mjete në rrugë dhe më shumë vështirësi për mijëra qytetarë që e përdorin atë çdo ditë.






Comments