Aksion kombëtar për ujin e pijshëm, ultimatum lavazheve: Keni kohë deri në 31 tetor!

Lavazhet në të gjithë vendin do të përballen me kontrolle për mënyrën se si furnizohen me ujë. Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka nisur një aksion kombëtar për kontrollin e përdorimit të ujit të pijshëm nga subjektet që ushtrojnë këtë aktivitet, duke vendosur 31 tetorin si afatin e fundit për ndërprerjen vullnetare të përdorimit të ujit nga rrjeti publik. Sipas AKUK, Kodi i Furnizimit me Ujë nuk lejon përdorimin e ujit të pijshëm për aktivitetin e lavazheve.
Për këtë arsye, subjektet që aktualisht përdorin ujin e rrjetit publik duhet të marrin masa për ta ndërprerë këtë praktikë dhe të sigurojnë një burim alternativ të ligjshëm. Drejtori i Përgjithshëm i AKUK, Fludian Çuka, u ka bërë thirrje subjekteve që të mos presin nisjen e kontrolleve. “Thirrja jonë është e qartë: mos prisni kontrollin. Merrni masat brenda 31 tetorit. Pas kësaj date do të intensifikohen kontrollet dhe do të zbatohen masat administrative të parashikuara nga ligji”, deklaroi Çuka.
AKUK paralajmëron se pas përfundimit të afatit do të shtohen kontrollet në terren dhe çdo shkelje do të dokumentohet. Kontrollet do të zhvillohen në të gjithë vendin, ndërsa për subjektet që konstatohet se vijojnë të përdorin ujin e pijshëm në kundërshtim me rregullat do të ndiqen procedurat e parashikuara nga legjislacioni. Qëllimi i aksionit është të ndalet përdorimi i ujit të rrjetit publik për aktivitete që, sipas rregullave të furnizimit me ujë, duhet të sigurojnë një burim tjetër të ligjshëm.
Përveç përdorimit të ujit të pijshëm nga rrjeti publik, AKUK ka paralajmëruar masa të forta edhe ndaj subjekteve që kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në rrjet. “Ndërhyrja e paligjshme në rrjet është vepër penale. Çdo lidhje e paligjshme që do të konstatohet do të dokumentohet dhe do t’u referohet organeve kompetente. Pa përjashtim”, tha Çuka.






Comments