Airbnb po ndryshon lojën: Nga pronë në biznes, qiratë ditore dyfishojnë fitimin

Bumi që po pëson tregu i qirave në vëndin tonë ka bërë që menaxhimi i tyre të kalojë nga individi drejt kompanive që ofrojnë dhe një ekspertizë më të madhe. Rritja e interesit për këtë treg po nxitet edhe nga zhvillimi i turizmit, çka nxit nevojën për një standartizim në ofrimin e shërbimeve. Ferdinad Fushëza është ndër individët e parë që ka investuar në tregun e qirave ditore në Shqipëri, që prej vitit 1993. Sot, ai menaxhon rreth 20 apartamente dhe ka pritur mijëra turistë, duke e kthyer qiranë afatshkurtër në një model biznesi që, sipas tij, ofron më shumë leverdi se qiraja tradicionale mujore. “Vit pas viti kam kaluar nga qiraja mujore në qira ditore. Leverdia nuk është vetëm financiare. Në qiratë afatgjata ekziston rreziku i dëmtimit të pronës, ndërsa ndryshimi i çmimeve dhe rishikimi i kontratave janë më të vështira. Me qiratë ditore jam më pranë pronës dhe mirëmbajtjes së saj”, tregon Fushëza gjatë një interviste për Vizion Plus .
Sipas tij, apartamentet janë kthyer në një alternativë të preferuar për turistët që vizitojnë Shqipërinë, veçanërisht për shkak të raportit mes çmimit dhe hapësirës që ofrojnë. Por ky treg nuk kufizohet vetëm te muajt e verës. Fushëza thotë se suksesin gjatë gjithë vitit e siguron një rrjet i gjerë kontaktesh dhe jo vetëm prania në platformat online.
“Italianët janë një treg që po rritet çdo ditë e më shumë, edhe për shkak të turizmit dentar”, u shpreh ai.
Ndërkohë, bumi i ndërtimit gjatë viteve të fundit ka shtuar ndjeshëm ofertën e apartamenteve për qira afatshkurtër. Sipas të dhënave, rreth 25 mijë apartamente janë të listuara në platformat online, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Numri real mendohet të jetë edhe më i lartë, për shkak të një pjese të tregut që vijon të operojë në informalitet. Një tjetër ndryshim që po vërehet është profesionalizimi i këtij aktiviteti. Menaxhimi i apartamenteve po kalon gradualisht nga individët te kompani të specializuara, duke sjellë më shumë formalizim dhe standardizim të shërbimit. Sipas Fushëzës, edhe nëse qiratë mujore arrijnë në 600–800 euro, norma e fitimit nga qiratë ditore mund të jetë rreth dy herë më e lartë. Megjithatë, kjo fitimprurje shoqërohet me një angazhim shumë më të madh, pasi menaxhimi i një apartamenti me qira ditore kërkon kujdes dhe disponueshmëri pothuajse 24 orë në ditë. Në këtë treg, apartamenti nuk është më vetëm një pronë për t’u dhënë me qira, por një shërbim që kërkon menaxhim, mirëmbajtje dhe komunikim të vazhdueshëm me klientin.






Comments