top of page

Aeroporti i Vlorës, arbitrazhi i jep të drejtë MIE: Nuk pezullohet zgjidhja e kontratës me VIA-n

Sep 17
1 min read

Ministria e Infrastrukturës njoftoi këtë të enjte se Arbitri i Emergjencës ka rrëzuar kërkesën kryesore të VIA-s për pezullimin e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit të Aeroportit të Vlorës. Urdhri është nxjerrë më 16 shtator 2026, në kuadër të procedurave të arbitrazhit të urgjencës të nisura nga koncesionari. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Arbitri i Emergjencës ka rrëzuar dy nga tri kërkesat e VIA-s, ndërsa nuk ka pranuar kërkesën për pezullimin e zgjidhjes së kontratës dhe zbatimit të Njoftimit për Zgjidhje.

Si rrjedhojë, sipas MIE, zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi.

Masa e vetme e pranuar nga Arbitri është një masë e përkohshme dhe afatshkurtër për ruajtjen e status quo-së, deri në konstituimin e tribunalit të arbitrazhit dhe shqyrtimin e çështjes prej tij. Sipas MIE, kjo masë nuk cenon vlefshmërinë apo efektshmërinë e zgjidhjes së kontratës.

Arbitri ka rrëzuar gjithashtu kërkesat e VIA-s për detyrimin e MIE-së për të marrë pjesë në ndërmjetësim dhe për të caktuar një ndërmjetës, si dhe kërkesën për shtyrjen e fillimit të arbitrazhit me dy muaj. Në vendim është urdhëruar gjithashtu që VIA të përballojë shpenzimet e procedurave të arbitrazhit të urgjencës. MIE deklaron se do të vijojë të mbrojë qëndrimin e saj në fazën e arbitrazhit dhe se vendimi i Arbitrit të Emergjencës i mundëson ministrisë të përgatisë hapat e mëtejshëm që burojnë nga zgjidhja e kontratës, duke respektuar masën e përkohshme të vendosur. Ministria ka bërë të ditur se, në përputhje me urdhrin e Arbitrit të Emergjencës, do ta njoftojë sot VIA-n se zgjidhja e Kontratës së Koncesionit ka hyrë në fuqi.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page