Aeroport i ri në jug, çfarë paralajmëroi Rama nga Brukseli

Shqipëria synon të zgjerojë më tej rrjetin aeroportual, me hapjen e aeroportit të Vlorës, ndërtimin e një aeroporti sezonal në jug dhe rikthimin në funksion të aeroportit të Kukësit. Këto plane u bënë publike nga kryeministri Edi Rama gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Euro News për Turizmin në Bruksel. Duke folur për rritjen e turizmit dhe nevojën për infrastrukturë që të përballojë numrin në rritje të vizitorëve, Rama tha se vendi po punon për zgjerimin e kapaciteteve aeroportuale.
“Ne nuk kemi infrastrukturën më të mirë në botë. Kemi një aeroport që është më rritjen më të shpejtë në Evropë. I kemi lënë fqinjët pas për të pestin ose gjashtin vit. Kemi lënë pas aeroportin e Beogradit. Tani do të hapim një aeroport të ri në Vlorë, po punojmë për një aeroport tjetër sezonal në jug. Është një i katërt në zonën malore, por nuk po punon ashtu siç do donim”, u shpreh kryeministri.
Rama e lidhi zgjerimin e infrastrukturës aeroportuale me objektivin për të tërhequr më shumë turistë nga tregje të ndryshme ndërkombëtare. Sipas tij, Shqipëria ka kaluar nga një numër shumë më i ulët vizitorësh ndërkombëtarë në fillim të këtij procesi, në rreth 12 milionë të huaj vitin e kaluar. Kryeministri përmendi mes vizitorëve edhe turistë nga Japonia, SHBA-ja, Amerika Latine, Kina, Izraeli dhe vendet e Lindjes së Mesme.
“Objektivi ynë është bota, se po zbulojmë që të gjitha pjesët e botës po marrin pjesë në këtë rritje”, tha Rama.
Në këtë kuadër, aeroporti i Vlorës pritet të jetë një tjetër pikë e rëndësishme e transportit ajror, ndërsa qeveria po shqyrton edhe një aeroport sezonal në jug të vendit. Paralelisht, është përmendur edhe rikthimi në funksion i aeroportit të Kukësit, i cili sipas Ramës aktualisht nuk po funksionon në nivelin e synuar. Samiti i Turizmit në Bruksel mblodhi përfaqësues të politikës, industrisë, investitorëve dhe ekspertëve për të diskutuar zhvillimet që pritet të ndikojnë sektorin, përfshirë ndryshimin e kërkesave të turistëve, teknologjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.






Comments