top of page

A e dini sa zyra të këmbimit valutor ka në Shqipëri? 80 prej tyre iu hoq licensa

  • Jul 13
  • 2 min read

Në një ekonomi ku përdorimi i valutës shtrihet në afro 50 % të shërbimeve kryesore, prania e zyrave të këmbimit valutor konsiderohet e rëndësishme për tu monitoruar.

Banka e Shqipërisë ka vijuar mbikëqyrjen ndaj zyrave të këmbimit valutor gjatë vitit 2025, duke intensifikuar kontrollet për zbatimin e rregullave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.  

Si rezultat i shkeljeve të konstatuara, institucioni ka revokuar 80 licenca, ndërsa ka vendosur edhe 201 masa administrative dhe një tërheqje vëmendjeje.  Sipas raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 në vend ushtronin aktivitetin 592 zyra të këmbimit valutor. Gjatë vitit u licencuan 33 subjekte të reja, ndërsa në total u revokuan 80 licenca. Numri më i lartë u zyrave është vërejtuar në vitin 2024 me 642. Por një vit më parë numr i tyrë zbriti me 50.



Kontrollet janë përqendruar jo vetëm te ekzistenca e procedurave të brendshme, por mbi të gjitha te zbatimi i tyre në praktikë. Gjatë vitit u zhvilluan 27 inspektime në terren, në disa raste në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare. Inspektimet evidentuan mangësi në identifikimin e klientëve, monitorimin e transaksioneve, dokumentimin e verifikimeve me listat e sanksioneve, mungesën e sistemeve të centralizuara për analizën e të dhënave, si dhe raportim jo të rregullt të veprimeve valutore pranë Bankës së Shqipërisë. Raporti evidenton gjithashtu se institucionet e pagesave dhe ato të parasë elektronike vijojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre, ndërsa numri i agjentëve të institucioneve të parasë elektronike është rritur gjatë vitit 2025.  Banka e Shqipërisë bën të ditur se edhe gjatë vitit në vijim kontrollet do të intensifikohen, me fokus të veçantë te transaksionet me vlerë të lartë, veprimet e përsëritura, mospërputhjet mes profilit të klientëve dhe volumit të transaksioneve, si dhe cilësia e dokumentacionit mbështetës. Qëllimi mbetet forcimi i integritetit të sistemit financiar dhe parandalimi i përdorimit të tij për aktivitete të paligjshme.

Comments


Informohuni për zhvillimet nga ekonomia.

  • Instagram
  • Facebook

© 2026 

bottom of page