top of page

85 milionë euro për Durrësin! Nis projekti gjigant, ja çfarë do të ndryshojë

Sep 9
2 min read

Një investim prej rreth 85 milionë eurosh ka hyrë në fazën e zbatimit në Durrës, me synim modernizimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve në qytet. Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, bëri të ditur nisjen e punimeve për projektin, i cili financohet me mbështetje të konsiderueshme nga Bashkimi Evropian, ndërsa pjesë e financimit vjen edhe nga Agjencia Franceze për Zhvillim.


Sipas Karakaçit, projekti parashikon zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura, rehabilitimin e rrjetit ekzistues të kanalizimeve dhe ndërtimin e infrastrukturës së re në disa zona të Durrësit. “Nisim sot në Durrës punimet për një nga investimet më të rëndësishme për qytetin dhe për transformimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura”, deklaroi ministri.


Projekti parashikon ndërhyrje të konsiderueshme në infrastrukturën e kanalizimeve. Në total, sipas ministrit, do të ndërtohen rreth 113 kilometra rrjete të reja, ndërsa do të ngrihen edhe 4 stacione pompimi.

Një tjetër komponent i rëndësishëm është realizimi i rreth 13 mijë lidhjeve të reja të kanalizimeve, duke zgjeruar aksesin e qytetarëve në sistemin e trajtimit të ujërave të ndotura. Faza e dytë e projektit do të përfshijë zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në Shkozet, Porto Romano dhe Spitallë. Karakaçi tha se edhe për këtë fazë mbështetja financiare e Bashkimit Evropian do të jetë e konsiderueshme, duke mbuluar përmes grantit rreth dy të tretat e vlerës së investimi.


Ministri njoftoi gjithashtu një plan më të gjerë investimesh në sektorin e trajtimit të ujërave të ndotura.

“Përgjatë tre viteve të ardhshme 2027–2030, kemi gati financimin e projekteve të trajtimit të ujërave të ndotur me vlerë 330 milionë euro”, u shpreh Karakaçi. Sipas tij, financimi i projektit të Durrësit përbën një nga grantet më të mëdha të dhëna nga Bashkimi Evropian për një projekt në Shqipëri. “Kjo është dëshmi e qartë e përftimeve nga hyrja në Bashkimin Evropian dhe këto financime do vijnë duke u zgjeruar çdo vit që ne afrohemi drejt Bashkimit Europian”, deklaroi ministri.


Karakaçi e cilësoi projektin si një ndërhyrje të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit, kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura. “Ky projekt dhe këto financime janë dëshmi e qartë e angazhimit të plotë të qeverisë për investimin në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura”, përfundoi ai.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page