8 shenja që tregojnë se po shfrytëzoheni në punë
- 2 days ago
- 2 min read

Jo çdo problem në vendin e punës është thjesht një mosmarrëveshje mes punëmarrësit dhe punëdhënësit. Në disa raste, mënyra se si trajtohet një punonjës mund të jetë tregues i një situate shfrytëzimi.
Inspektorati i Punës ka evidentuar disa prej shenjave që punonjësit duhet t’i marrin në konsideratë dhe të mos i neglizhojnë, veçanërisht kur këto problematika përsëriten ose shoqërohen me presion dhe kërcënime.
Një prej sinjaleve kryesore lidhet me pagesën. Nëse një punonjës nuk merr pagën e premtuar, paguhet më pak nga sa është rënë dakord ose detyrohet të punojë jashtë orarit pa u kompensuar, kjo mund të jetë një shenjë problematike.
Edhe mungesa e pushimeve është një tjetër element që duhet vlerësuar. Situatat kur punonjësi ka shumë pak ditë pushimi ose nuk i lejohet të marrë pushime gjatë orarit të punës mund të tregojnë shkelje të të drejtave të tij.
Një tjetër tregues janë zbritjet nga paga. Punonjësit duhet të jenë në dijeni se përse u reduktohet pagesa dhe mbi çfarë baze bëhen këto zbritje. Mbajtjet e pashpjeguara ose të padrejta janë një sinjal që kërkon vëmendje.
Mbajtja e dokumenteve personale është një tjetër situatë alarmi. Nëse punëdhënësi i merr punonjësit pasaportën apo dokumentet e identifikimit dhe i mban ato, kjo mund të jetë pjesë e një situate shfrytëzuese.
Vëmendje duhet t’i kushtohet edhe strehimit të lidhur me punën. Nëse punonjësi vendoset në ambiente të mbipopulluara, të pasigurta ose i kërkohet të paguajë shuma të pajustifikuara për strehimin apo transportin që lidhet me punën, edhe kjo konsiderohet një shenjë shqetësuese.
Situata bëhet edhe më serioze kur në vendin e punës ka kërcënime ose dhunë. Presioni fizik apo psikologjik nuk është pjesë normale e marrëdhënies së punës dhe nuk duhet toleruar.
Një tjetër element lidhet me sigurinë në punë. Nëse punonjësit nuk u sigurohen mjetet dhe pajisjet e nevojshme për të kryer detyrat në mënyrë të sigurt, rreziku për shëndetin dhe jetën e tyre rritet.
Po aq shqetësuese janë edhe kushtet e pasigurta të punës, veçanërisht kur punonjësi është i ekspozuar ndaj rreziqeve dhe nuk merren masat e nevojshme për mbrojtjen e tij.
Këto janë disa nga shenjat që punonjësit duhet të njohin për të kuptuar nëse ndodhen përballë një situate të padrejtë apo shfrytëzuese në vendin e punës.






Comments