7 vite pritje për një banesë! 650 familje të prekura nga tërmeti ende me bonus qiraje

Procesi i rindërtimit në Tiranë vijon ende për familjet e prekura nga tërmeti, ndërsa qeveria kërkon përshpejtimin e procedurave për përfundimin e banesave që kanë mbetur pa u dorëzuar. Zv.kryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, kanë inspektuar zonën e Kombinatit, ku kanë kërkuar përshpejtimin e punimeve dhe procedurave për familjet që ende nuk kanë marrë apartamentet e reja.
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë vizitës, deri tani janë shpërndarë më shumë se 340 apartamente për familjet e prekura nga tërmeti. Ndërkohë, rreth 650 familje vijojnë të trajtohen me bonus qiraje dhe presin të marrin banesat e tyre. Koçiu e ka cilësuar të ngadaltë ritmin e procesit, duke theksuar se kanë kaluar shtatë vite nga tërmeti dhe se një pjesë e familjeve ende nuk kanë marrë banesat e parashikuara. “Procedurat kanë nisur, por ritmi është shumë i ngadaltë. Kanë kaluar shtatë vite, ne duhet të marrim masat, ta përmbyllim këtë proces me ritëm shumë të shpejtë”, deklaroi Koçiu.
Në Kombinat janë aktualisht rreth 150 apartamente të ndërtuara. Nga këto, 75 janë në pritje të procesit të shortit, ndërsa për apartamentet e tjera vijojnë ndërhyrjet që lidhen me ujësjellës-kanalizimet, përpara se të kalojnë në fazën e shpërndarjes. Procesi parashikon edhe ndërtimin e banesave të tjera. Në një prej shesheve ku procedura e prokurimit ka përfunduar, pritet të ndërtohen 223 apartamente të reja, ndërsa ka nisur procedura për ndërtimin e 100 apartamenteve të tjera. Ministri Ervin Demo tha se familjet që kanë pritur prej vitesh duhet të marrin një përgjigje përfundimtare për situatën e tyre. “Njerëzit kanë të drejtë, pas kalimit të gjithë këtyre viteve, tashmë shtatë vite, ne duhet t’u japim një përgjigje përfundimtare”, u shpreh Demo.
Sipas ministrit, për të përshpejtuar procesin do të ndërhyhet edhe përmes financimit nga buxheti i qeverisë qendrore. Ndërhyrja do të fokusohet në dy drejtime: përfundimin e apartamenteve që janë ndërtuar, duke zgjidhur edhe problematikat e lidhjeve me OSHEE-në dhe ujësjellësin, si dhe përgatitjen e shesheve të reja për ndërtimin e banesave për familjet që ende presin.






Comments