4000 çifte do blejnë shtëpi me kredi të butë! Rama zbulon skemën, ja kur hapen aplikimet

Qeveria ka zbuluar skemën e re të mbështetjes për çiftet e reja që duan të blejnë një banesë. Duke nisur nga viti 2027, 4 mijë çifte do të kenë mundësi të përfitojnë kredi të subvencionuara nga shteti, ndërsa aplikimet pritet të hapen që në nëntor të këtij viti. Programi është pjesë e reformës së re kombëtare të strehimit, të cilën kryeministri Edi Rama e ka prezantuar si një ndryshim të mënyrës se si shteti do të ndërhyjë në tregun e banesave. Draftligji për reformën pritet të kalojë fillimisht në konsultim publik dhe më pas në Kuvend.
Sipas qeverisë, objektivi nuk është më vetëm mbështetja e familjeve në nevojë, por krijimi i një sistemi më të gjerë që përfshin edhe çiftet e reja, të rinjtë, profesionistët dhe shtresën e mesme.
4000 kredi për çiftet e reja Masa që pritet të tërheqë më shumë interes lidhet me skemën që do të nisë në vitin 2027. Rama bëri të ditur se do të mbështeten 4000 çifte të reja për blerjen e një banese.
Skema do të ndahet në dy kategori:
• 2000 kredi me interes 0% për apartamente me vlerë deri në 60 mijë euro;
• 2000 kredi me interes 3% për apartamente me vlerë mbi 60 mijë euro.
Një tjetër ndryshim është rritja e kufirit të të ardhurave për familjet që mund të përfitojnë. Tavani do të shkojë në 280 mijë lekë neto në muaj. Ndërkohë, rritet edhe shuma maksimale e kredisë që mund të përfitohet. Nga 12.5 milionë lekë, ajo parashikohet të shkojë në 17 deri në 20 milionë lekë. Aplikimet pritet të hapen në nëntor 2026, ndërsa kreditë do të zbatohen gjatë vitit 2027.
Reforma nuk kufizohet vetëm te kreditë për çiftet e reja. Programi Kombëtar i Strehimit do të mbështetet në gjashtë skema, që sipas qeverisë synojnë të krijojnë një sistem më të gjerë të strehimit social dhe të përballueshëm. Skema e parë lidhet me banesat sociale me qira. Këto banesa nuk do të sigurohen vetëm përmes ndërtimeve të reja. Qeveria parashikon edhe blerje të drejtpërdrejta në treg, përshtatjen e objekteve shtetërore, përdorimin e objekteve të konfiskuara, bonusin e qirasë dhe partneritetet publike-private.
Rama tha se objektet e konfiskuara për shkak të shkeljeve të rregullave të ndërtimit mund të përdoren edhe për këtë qëllim. Jo vetëm ndërtim i ri, por edhe kredi të subvencionuara
Programi i dytë do të fokusohet te banesat me kosto të ulët, përmes subvencionimit nga shteti të kredive. Kjo skemë synon të ulë barrën financiare për familjet që nuk mund të përballojnë kushtet e zakonshme të tregut, por që kanë të ardhura dhe mundësi për të marrë një kredi. Ndërkohë, programi i tretë lidhet me përmirësimin e banesave ekzistuese. Në këtë kategori përfshihen familjet vulnerabël, ndërhyrjet në zona informale dhe përshtatja e banesave ekzistuese për t'i kthyer në banesa sociale.
Një nga ndryshimet në filozofinë e programit është mënyra se si do të konceptohen zonat e reja të banimit. Programi i katërt parashikon zhvillimin e zonave të reja të strehimit, por qeveria thotë se synimi nuk është krijimi i blloqeve të veçuara vetëm për familjet në nevojë. Ideja është që të ndërtohen lagje ku të bashkëjetojnë kategori të ndryshme sociale. Familjet me të ardhura më të ulëta do të marrin mbështetje më të madhe, ndërsa familjet që kanë mundësi financiare do të mund të blejnë banesa në të njëjtat zona. Programi pritet të nisë fillimisht në Tiranë, ndërsa bashkitë e tjera janë ftuar të propozojnë territore ku mund të zhvillohen projekte të ngjashme.
Një tjetër komponent i reformës lidhet me familjet që humbin banesën për shkak të fatkeqësive natyrore. Programi i pestë parashikon krijimin e banesave të përkohshme për familjet e prekura nga përmbytjet, zjarret apo ngjarje të tjera të rënda. Qeveria synon të ketë infrastrukturë të gatshme për strehimin e këtyre familjeve në periudhën menjëherë pas fatkeqësisë, në vend që zgjidhja të kërkohet vetëm pasi ngjarja të ketë ndodhur.
Banesa të përshtatura për familjet me persona me aftësi të kufizuara Programi i gjashtë do të fokusohet te ndërtimi dhe përshtatja e banesave për familjet ku jetojnë persona me aftësi të kufizuara. Kjo nënkupton që banesa të tilla do të projektohen duke marrë parasysh nevojat specifike të banorëve dhe jo thjesht të përshtaten më vonë.
Paralelisht me reformën e re, qeveria ka shpallur edhe fituesit e programit aktual për përmirësimin e kushteve të banimit. Nga 33 bashki që aplikuan, 26 janë shpallur fituese. Për këtë program do të përdoren 700 milionë lekë, ndërsa përfitues do të jenë 663 familje në të gjithë vendin. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se politika e strehimit duhet të përshtatet me realitetin e ri social dhe ekonomik të Shqipërisë. Sipas saj, që nga viti 2018 janë mbështetur rreth 30 mijë familje, ose afërsisht 100 mijë qytetarë, përmes programeve të ndryshme të strehimit.






Comments