27 mijë euro për studentët, Intesa Sanpaolo financon bursat në College of Europe

Intesa Sanpaolo Bank Albania, pjesë e Grupit Intesa Sanpaolo, vijon mbështetjen e saj për arsimin e lartë dhe talentet e reja në Shqipëri, duke ofruar 27,000 euro bursa për tre studentë të pranuar në programin Master i Arteve në Transformimin dhe Integrimin Evropian pranë College of Europe në Tiranë. Kjo nismë shënon vitin e tretë radhazi të programit të bursave të Bankës në bashkëpunim me College of Europe, duke rikonfirmuar angazhimin e Intesa Sanpaolo Bank Albania për të investuar në arsim, për të zhvilluar aftësitë e një brezi të ri profesionistësh dhe për të mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë drejt një integrimi gjithnjë e më të ngushtë evropian. Kontributi do të financojë tre bursa të pjesshme, duke u mundësuar tre studentëve të përzgjedhur të ndjekin studimet pasuniversitare në një prej institucioneve më të njohura në Evropë për arsimin dhe formimin pasuniversitar në fushën e çështjeve evropiane.
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Intesa Sanpaolo Bank Albania forcon më tej angazhimin e saj për të mbështetur zhvillimin e njohurive, aftësive dhe kapaciteteve profesionale përmes mundësive akademike cilësore në Shqipëri, veçanërisht atyre që ofrohen në bashkëpunim me institucione arsimore të njohura ndërkombëtarisht. Kjo nismë pasqyron gjithashtu angazhimin më të gjerë të Bankës për të investuar në kapitalin njerëzor dhe për të krijuar mundësi që të rinjtë të kontribuojnë në zhvillimin social dhe ekonomik afatgjatë të Shqipërisë, si edhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.
Marrëveshja u nënshkrua zyrtarisht në College of Europe në Tiranë nga João Gomes Cravinho, Rektor I College of Europe, dhe Giuseppe Giampietro, Drejtor I Përgjithshëm Ekzekutiv I Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Giuseppe Giampietro, Drejtor I Përgjithshëm Ekzekutiv I Intesa Sanpaolo Bank Albania, u shpreh:
“Për të tretin vit radhazi, jemi krenarë që qëndrojmë përkrah College of Europe dhe investojmë drejtpërdrejt në arsimimin dhe aspiratat e të rinjve të talentuar. Mbështetja e arsimit është shumë më tepër sesa ofrimi I ndihmës financiare; ajo është një investim në drejtuesit e së ardhmes së familjes evropiane. Si pjesë e një prej grupeve bankare lider në Evropë, me një prani afatgjatë në Shqipëri, ne besojmë se sektori privat ka një rol të rëndësishëm në krijimin e mundësive për brezat e rinj që të fitojnë njohuri, të zgjerojnë horizontet e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit. I përgëzoj përfituesit e bursave dhe u uroj çdo sukses në nisjen e këtij rrugëtimi të rëndësishëm akademik.”
João Gomes Cravinho, Rektor I College of Europe, u shpreh: “Mundësia për të përfituar nga një arsim I shkëlqyer duhet të varet nga talenti dhe ambicia, jo nga mundësitë financiare. Për këtë arsye, I jemi shumë mirënjohës Intesa Sanpaolo Bank Albania që vijon mbështetjen e saj për të tretin vit radhazi. Këto tre bursa të pjesshme do t’u mundësojnë studentëve të talentuar të ndjekin studimet në College of Europe në Tiranë dhe të përgatiten për të kontribuar në të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe të rajonit. Ky angazhim I vazhdueshëm është një shembull domethënës se si sektori privat mund të mbështesë arsimin, krijimin e mundësive dhe formimin e brezit të ardhshëm të profesionistëve në fushën e integrimit evropian.”
Bashkëpunimi I vazhdueshëm ndërmjet Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe College of Europe pasqyron një angazhim të përbashkët ndaj arsimit, ekselencës dhe formimit të brezave të ardhshëm të profesionistëve evropianë. Përmes kësaj nisme, Banka kontribuon në zgjerimin e mundësive për ndjekjen e arsimit pasuniversitar me standarde të larta, duke nxitur njëkohësisht studentët e talentuar të zhvillojnë ekspertizën dhe perspektivën ndërkombëtare të nevojshme për të kontribuar në zhvillimin institucional, ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë.






Comments