16 kërkesa për qeverinë, biznesi kërkon uljen e taksave në Paketën Fiskale 2027

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë i ka paraqitur qeverisë 16 propozime për ndryshime fiskale, me synimin për të ulur kostot e prodhimit, lehtësuar investimet dhe mbështetur kompanitë në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Europian. Industria prodhuese dhe agropërpunuese kërkojnë lehtësira të reja fiskale në Paketën Fiskale 2027. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë i ka përcjellë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Financave një paketë me 16 ndërhyrje të propozuara, që përfshijnë ndryshime në TVSH, tarifat doganore, akcizën dhe taksat mbi investimet. Një nga kërkesat kryesore është ulja e TVSH-së për sektorin e agropërpunimit, ku propozohet një normë e reduktuar prej 5% deri në 7%. Dhoma kërkon gjithashtu rishikimin e trajtimit të TVSH-së për industrinë prodhuese, me argumentin se lehtësimi i barrës fiskale mund të ndihmojë konkurrueshmërinë e bizneseve vendase. Në bujqësi dhe blegtori, propozimet përfshijnë përfshirjen në skemën e TVSH-së të të gjithë operatorëve që grumbullojnë dhe përpunojnë qumësht, pavarësisht xhiros vjetore, si dhe aplikimin e TVSH-së zero për fertilizantët organikë të prodhuar në vend nga riciklimi i mbetjeve shtazore dhe bimore.
Një tjetër grup kërkesash lidhet me kostot që përballojnë kompanitë për importin e lëndëve të para dhe pajisjeve. Dhoma propozon përjashtimin nga tarifat doganore të lëndëve të para të përdorura nga industria prodhuese, si dhe rimbursimin e tarifave doganore për eksportuesit për lëndët e para dhe ndihmëse të blera në tregun vendas. Bizneset kërkojnë gjithashtu pezullimin e parapagimit të TVSH-së në doganë për importin e lëndëve të para. Sipas propozimit, kjo do t'u krijonte ndërmarrjeve më shumë hapësirë financiare për të administruar likuiditetet, pa pasur nevojë të parapaguajnë detyrimin në momentin e importit. Në të njëjtën linjë, kërkohet rimbursimi i akcizës për gazin dhe lëndët djegëse, si dhe përjashtimi nga TVSH-ja i makinerive të importuara për investime në energji dhe industri. Për karburantet, Dhoma propozon zgjerimin e së drejtës së zbritjes së TVSH-së në përputhje me faturimin dhe aktivitetin e kompanive.
Propozimet përfshijnë edhe mënyrën e pagesës së taksave që lidhen me investimet. Dhoma kërkon që taksa e ndikimit në infrastrukturë të mund të paguhet me tri këste, në vend të shlyerjes së menjëhershme të të gjithë detyrimit.
Gjithashtu, kërkohet rishikimi i taksës mbi pasurinë për ndërmarrjet prodhuese dhe rritja e normës së amortizimit fiskal për makineritë dhe pajisjet nga 20% në 40%.
Një pjesë e paketës përqendrohet te kostot që kompanitë duhet të përballojnë për modernizimin teknologjik dhe përmbushjen e kërkesave europiane. Dhoma kërkon hartimin e një plani qeveritar që të parashikojë lehtësira fiskale për investimet në pajisje përpunimi, sisteme filtrimi mjedisor dhe teknologji që lidhen me sigurinë dhe higjienën.
KËRKESAT:
Ulja e TVSH-së për industritë prodhuese.
TVSH 5–7% për sektorin e agropërpunimit.
Përfshirja e të gjithë grumbulluesve dhe përpunuesve të qumështit në skemën e TVSH-së, pavarësisht xhiros.
TVSH zero për fertilizantët organikë të prodhuar në vend.
Përjashtimi nga TVSH-ja i makinerive të importuara për investime në energji dhe industri.
Zgjerimi i së drejtës së zbritjes së TVSH-së për karburantet.
Tarifat doganore dhe akciza
Heqja e tarifave doganore për lëndët e para të industrive prodhuese.
Rimbursimi i tarifave doganore për eksportuesit për lëndët e para dhe ndihmëse të blera në vend.
Pezullimi i parapagimit të TVSH-së në doganë për importin e lëndëve të para.
Rimbursimi i akcizës për gazin dhe lëndët djegëse.
Taksat mbi pasurinë dhe investimet
Pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë me tri këste.
Rishikimi i taksës së pasurisë për ndërmarrjet prodhuese.
Rritja e normës së amortizimit fiskal për makineritë dhe pajisjet nga 20% në 40%.
Mbështetja për standardet e BE-së
Lehtësira fiskale për investimet që mundësojnë përmbushjen e standardeve europiane.
Subvencione dhe kredi të buta për modernizimin teknologjik.
Fonde për përgatitjen e sektorit agropërpunues për standardet e BE-së.
Grante të drejtpërdrejta për investimet në teknologji dhe standarde.
Program kombëtar për identifikimin dhe mbështetjen e nevojave të sektorëve ekonomikë.
Kërkimi shkencor dhe inovacioni
Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin për shpenzimet e kërkimit shkencor dhe zhvillimit teknologjik të lidhura me prodhimin.
Zbritje fiskale shtesë për inovacionin, certifikimet dhe bashkëpunimin me universitetet.
Lehtësira tatimore për importin e pajisjeve kërkimore, programeve kompjuterike dhe patentave.






Comments