127 biznese të dëmtuara nga protestat, mbi 2 milionë euro dëme

Dëmet materiale të shkaktuara në bizneset e Tiranës gjatë protestave të ditëve të fundit kapin vlerën e 2.15 milionë eurove. Deri më tani, Administrata Tatimore ka identifikuar 127 subjekte tregtare të prekura, ndërsa procesi i verifikimit dhe vlerësimit të humbjeve vijon.
Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, 55 biznese janë evidentuar pas kontrolleve dhe verifikimeve të kryera nga administrata në terren. Ndërkohë, 72 subjekte të tjera kanë raportuar vetë dëmet e pësuara përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”.
Autoritetet tatimore po vijojnë mbledhjen e informacionit për të përcaktuar më saktë përmasat e dëmeve që kanë pësuar njësitë tregtare. Verifikimet po kryhen në dy drejtime: përmes inspektimeve në terren dhe shqyrtimit të deklarimeve të bëra nga vetë bizneset.
Administrata Tatimore u ka bërë thirrje të gjithë sipërmarrësve të prekur që të deklarojnë dëmet përmes shërbimit të posaçëm “Dëmi im”, i aksesueshëm në portalin e-Albania. Ky proces synon të krijojë një pasqyrë sa më të plotë të humbjeve materiale dhe të ndihmojë në dokumentimin e pasojave ekonomike të shkaktuara nga protestat.
Dëmtimet kanë prekur ambiente dhe njësi tregtare në kryeqytet, duke sjellë humbje për sipërmarrjet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonat ku janë zhvilluar protestat. Përveç dëmeve të drejtpërdrejta në ambiente dhe mallra, situata ka ngritur shqetësime edhe për ndikimin që trazirat mund të kenë në aktivitetin e përditshëm ekonomik.






Comments